Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se do të kandidojë për postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e brendshme të partisë, të cilat pritet të zhvillohen vitin e ardhshëm.
Rama synon të marrë drejtimin e LDK-së dhe, në të njëjtën kohë, i ka kërkuar kryetarit aktual, Lumir Abdixhikut, të largohet nga detyra.
Të lidhura
None found
Procesi i ardhshëm zgjedhor brenda LDK-së pritet të jetë vendimtar për përcaktimin e orientimit politik dhe të strukturës udhëheqëse të partisë. Përballja për kreun mund të shënojë hapjen e një etape të re, ku pritet të diskutohen performanca e lidershipit aktual dhe nevoja për forcimin e organizimit partiak.
Kërkesa e Ramës për dorëheqjen e Abdixhikut e ka vendosur udhëheqjen e partisë në qendër të debatit të brendshëm. Ende nuk dihet se si do të vijojë gara dhe nëse kandidaturës së Ramës do t’i bashkohen edhe emra të tjerë.
Zgjedhjet e brendshme nuk do të përcaktojnë vetëm pasardhësin në krye të LDK-së, por edhe drejtimin politik që partia do të ndjekë në periudhën e ardhshme.
Lama: LDK-së, si parti shtetformuese, i duhet rikthim i fuqishëm te rrënjët, jo eksperimente me programin dhe lidershipin

Ish-deputetja e LDK-së, Alma Lama, ka deklaruar për “Bota sot” se partia duhet të gjejë një udhëheqje të re, e cila do të ishte në gjendje të bashkonte strukturat e saj.
Ajo e sheh Përparim Ramën si një kandidat serioz, që sipas saj, mund ta nxjerrë LDK-në nga seria e humbjeve dhe ta rikthejë atë në garën për pushtet.
“Sipas informacionit që kam, LDK-ja pritet të zhvillojë vitin e ardhshëm procesin e zgjedhjeve të brendshme, në përputhje me kalendarin e saj. Partia ka nevojë të padiskutueshme për një lidership të ri, i cili do ta bashkonte atë. Kryetari i ardhshëm duhet të dalë nga një garë e mirëfilltë elektorale. Sa i takon z. Rama, e konsideroj një kandidat serioz, i cili mund ta shpëtojë partinë nga humbjet e tanishme dhe ta kthejë LDK-në në një forcë konkurruese për pushtet”.
Lama ka nënvizuar se fakti që Përparim Rama ka fituar dy mandate në kryeqytet e bën atë një prej pikave më të forta të LDK-së. Sipas saj, partia duhet t’u rikthehet themeleve të saj, ndërsa vendimin për udhëheqjen dhe rrugën e ardhshme duhet ta marrin anëtarët.
“Mendoj se, si fitues dy herë radhazi i kryeqytetit, ai është pika më e fortë e LDK-së. Fakti që sulmohet vazhdimisht nga kundërshtarët politikë, përfshirë VV-në, tregon se ata e konsiderojnë kërcënim. Në përfundim, LDK-së, si parti shtetformuese, i duhet një rikthim i fuqishëm te rrënjët e saj dhe jo eksperimente në program apo në lidership. Megjithatë, janë anëtarët e partisë ata që do të vendosin për drejtimin e saj”, është shprehur ajo.
Tahiraj: LDK-ja nuk është pronë e askujt dhe nuk mund të drejtohet nga tekat individuale
Ndryshe mendon veprimtari Saim Tahiraj, i cili në një prononcim për “Bota sot” ka kundërshtuar kërkesat për largimin e Lumir Abdixhikut. Ai ka kujtuar se kryetari e ka marrë sërish besimin e Këshillit të Përgjithshëm.

Sipas Tahirajt, çdo kandidaturë për drejtimin e LDK-së duhet të paraqitet vetëm kur të hapet procesi përkatës dhe në përputhje me statutin e rregullat e partisë. Ai i ka cilësuar kërkesat për dorëheqje si të papranueshme dhe në kundërshtim me funksionimin demokratik të LDK-së.
“Së pari, duhet të jetë e qartë për të gjithë se në LDK nuk është koha e zgjedhjeve. Para disa javësh, Këshilli i Përgjithshëm zhvilloi mocionin e besimit për kryetarin Lumir Abdixhiku dhe atij iu dha përsëri mbështetja për të vazhduar drejtimin e partisë. Atëherë, çfarë synojnë sërish këta zëra që shfaqen në opinionin publik?
Çdo anëtar e ka të drejtën të kandidojë për kryetar të LDK-së kur të vijë momenti, por duhet të respektojë statutin dhe rregullat e brendshme. Kjo nuk mund të ndodhë sipas dëshirës së individëve, duke anashkaluar institucionet dhe mekanizmat demokratikë të partisë.
Të dalësh në rrugët e Prishtinës me sjellje prej gangsteri dhe të kërkosh largimin e kryetarit legjitim të LDK-së është e papranueshme. Kjo kërkesë bëhet edhe më absurde kur vjen nga një person që, sipas vlerësimit tim, është futur në LDK si satelit, pa qenë më herët anëtar i saj dhe pa pasur merita apo kontribut të mirëfilltë në ndërtimin dhe forcimin e saj”, ka deklaruar ai.
Tahiraj ka insistuar se largimi i Lumir Abdixhikut nga drejtimi mund të bëhet vetëm përmes procedurave demokratike të parashikuara nga partia.
Ai e ka cilësuar të nxituar kandidaturën e Përparim Ramës dhe ka pretenduar se qëndrimet e tij politike nuk janë në përputhje me filozofinë tradicionale të LDK-së.
“Kryetari aktual mund të largohet nga drejtimi i LDK-së vetëm përmes procedurave demokratike dhe në respektim të statutit e të rregullave të partisë. Kjo nuk mund të arrihet përmes presionit të rrugës, arrogancës apo kërkesave individuale. LDK-ja është një parti institucionale me traditë demokratike dhe nuk mund t’u nënshtrohet ambicieve personale.
Kandidatura e z. Rama, e pakuptueshme dhe jashtëzakonisht e parakohshme, bashkë me kërkesën e tij për dorëheqjen e z. Abdixhiku, përbën një aventurë politike të rrezikshme, veçanërisht për karrierën e vetë z. Ramës.
Orientimi politik që ai ka ndjekur deri tani nuk përputhet me filozofinë tradicionale të LDK-së. Pjesëmarrja e tij në protesta kundër Gjykatës Speciale dëshmon, sipas meje, një qasje më të afërt me PDK-në sesa me filozofinë politike të LDK-së. Për këtë arsye, një ndryshim i tillë nuk i nevojitet LDK-së”, ka thënë ai.
Tahiraj ka deklaruar se LDK-ja ka personalitete me më shumë përvojë dhe me lidhje më të fortë me filozofinë rugoviane, të cilat mund ta drejtojnë partinë. Ai ka vlerësuar se Rama nuk e mishëron në tërësi identitetin politik të LDK-së, ndërsa ka kërkuar unitet, përgjegjësi dhe mbrojtjen e trashëgimisë së Ibrahim Rugovës.
“LDK-ja ka shumë figura me autoritet, përvojë, kontribut dhe besnikëri ndaj filozofisë rugoviane. Ato e përfaqësojnë më mirë identitetin dhe traditën politike të partisë dhe, kur të vijë koha e zgjedhjeve të rregullta, duhet të jenë ndër kandidatët e parë për drejtimin e saj.
Në këtë renditje politike, z. Rama do të duhej të ishte ndër kandidatët e fundit për kryetar të LDK-së, pasi, sipas bindjes sime, nuk e pasqyron në mënyrë reale identitetin, traditën dhe filozofinë politike të partisë.
LDK-ja ka nevojë për bashkim, përgjegjësi dhe respektim të statutit, jo për aventura politike, presion nga rruga apo ambicie personale. Ajo është trashëgimia politike e Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, dhe kjo trashëgimi duhet të mbrohet me maturi, përgjegjësi dhe besnikëri ndaj parimeve themeluese”, ka përfunduar Tahiraj për “Bota sot”.





