Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila u vra mbrëmë në Vitomiricë të Pejës. Ajo ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të zhvillojnë një hetim të plotë për rastin.
Haxhiu është shprehur thellësisht e tronditur nga vrasja e Arlindës, e cila, sipas saj, u qëllua vetëm pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpi nga stacioni policor, ku kishte raportuar dhunë në familje.
Të lidhura
None found
Në reagimin e publikuar nga Kuvendi i Kosovës, ajo ka kujtuar se tri ditë para ngjarjes Arlinda i ishte drejtuar Prokurorisë në Pejë me fjalët: “Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”.
Haxhiu ka theksuar se rrethanat e rastit kërkojnë që hetimi të mos kufizohet vetëm te vrasja, por të përfshijë edhe mënyrën e trajtimit të denoncimeve të saj, vlerësimin e rrezikut dhe masat e marra për mbrojtjen e viktimës. Sipas saj, duhet të shqyrtohet çdo veprim apo mosveprim i mundshëm institucional dhe, nëse konstatohen shkelje, të përcaktohet përgjegjësia përkatëse.
Kryeparlamentarja ka bërë të ditur se, në kuadër të rolit mbikëqyrës të Kuvendit, do t’u kërkojë komisioneve përkatëse parlamentare të analizojnë funksionimin e mekanizmave për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe parandalimin e femicidit. Vëmendje e veçantë, sipas saj, do t’i kushtohet vlerësimit të rrezikut dhe koordinimit mes institucioneve.
“Është përgjegjësia jonë të sigurohemi që ligjet që miratojmë të zbatohen dhe që mangësitë të trajtohen para se të kushtojnë jetë të tjera. Djalit të Arlindës dhe të gjithë të afërmve të saj u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta”, ka deklaruar Haxhiu.



