Deri në katër orë pritje në kufirin Kosovë-Serbi, kolonat arrijnë në kilometra

Fluksi i automjeteve në pikat kufitare të Kosovës me Serbinë është shtuar ndjeshëm, duke shkaktuar pritje të gjata dhe kolona kilometrike.

Sipas të dhënave të fundit të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK), situata më e rënduar paraqitet në pikëkalimin e Jarinjës. Në dalje nga Kosova, pritjet arrijnë deri në 4 orë, ndërsa kolona e automjeteve shtrihet në 3.5 km.

Të lidhura

None found

Udhëtarët që hyjnë në Kosovë përmes Jarinjës po përballen gjithashtu me vonesa, pasi pritjet në këtë drejtim shkojnë deri në 3 orë.

Vështirësi në qarkullim janë raportuar edhe në pikën kufitare të Merdarës. Për të dalë nga territori i Kosovës, automjetet presin nga 90 deri në 120 minuta, ndërsa kolona ka arritur deri në 3 km.

Në drejtim të hyrjes në Kosovë përmes Merdarës, koha e pritjes është 30 deri në 40 minuta.

Edhe në pikat e tjera kufitare me Serbinë është evidentuar fluks i shtuar i automjeteve.

Pritjet e krijuara gjatë së dielës lidhen me zgjedhjet në Serbi, për të cilat qytetarë nga komuniteti serb në Kosovë kanë udhëtuar për të votuar.

Ndryshe paraqitet gjendja në pikat kufitare të Kosovës me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Në Vërmicë, Han të Elezit, Kullë dhe Glloboqicë, qarkullimi vijon normalisht, ndërsa koha e pritjes është nga 3 deri në 5 minuta.


Shtuar më 25.10.2026 15:33