Deputetja australiane Helen Haines mbetet pa të dyja këmbët pas një sulmi me makinë, policia: Veprimi ishte i qëllimshëm

Deputetja australiane Helen Haines ka mbetur pa të dyja këmbët pasi një automjet e goditi, në një rast që policia po e trajton si sulm të qëllimshëm.

Phil Haines, bashkëshorti i saj, konfirmoi se ajo pësoi lëndime të rënda, por gjendja e saj mendore është e mirë.

Të lidhura

None found

Incidenti ndodhi pasditen e së hënës përpara zyrës elektorale të deputetes në Wangaratta, rreth 240 kilometra në verilindje të Melburnit, Australi. I dyshuari Brendan Nugent, 43 vjeç, u arrestua në vendin e ngjarjes dhe përballet me disa akuza penale.

Në një deklaratë dhënë mediave nga Melburni, ku Helen Haines po merr trajtim mjekësor, bashkëshorti i saj e përshkroi rastin si një incident të rëndë dhe theksoi se mbijetesa e saj është një lajm i mirë për familjen.

“Rruga e Helenës drejt shërimit do të jetë e gjatë dhe e vështirë, por ne e dimë se ajo është një luftëtare”, u shpreh Phil Haines, duke falënderuar stafin mjekësor dhe të gjithë ata që kanë dhënë mbështetje.

Brendan Nugent u paraqit të mërkurën për herë të parë në gjykatë, ku u përball me tri akuza: drejtim të rrezikshëm të automjetit që shkakton lëndime të rënda, shkaktim të qëllimshëm të lëndimeve të rënda dhe dëmtim të një zyrtari publik të Komonuelthit.

Ai nuk kërkoi lirimin me kusht dhe do të dalë sërish para gjykatës gjatë muajit shkurt. Sipas dokumenteve gjyqësore, ai përballet edhe me akuza për kultivim dhe posedim kanabisi. Policia ka thënë se mund të shqyrtohen edhe vepra të tjera penale, përfshirë tentativën për vrasje.

Sipas autoriteteve, Nugent nuk kishte qenë më parë në vëmendjen e policisë dhe nuk kishte pasur informacione për kërcënime ndaj deputetes para incidentit. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu nëse përdorimi i drogës ose i ilaçeve mund të ketë ndikuar në ngjarje dhe nëse ekzistonte ndonjë lidhje personale mes tyre.

Më herët, familja e të dyshuarit kishte bërë të ditur se prej kohësh kishte marrëdhënie miqësore me Helen Haines dhe e përshkroi ngjarjen si shkatërruese dhe të paimagjinueshme.


Shtuar më 21.10.2026 17:03