Aleksandër Kovaçi, kryetar i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, ka dënuar ashpër dhunën e policisë ndaj trupës akademike dhe studentëve gjatë protestave para Ministrisë së Arsimit, në një intervistë për News24.
Ai bëri të ditur se represioni shtetëror nuk ka kursyer as profesoratin dhe intelektualët që iu bashkuan revoltës qytetare në rrugë, duke konfirmuar përdorimin e plumbave të gomës ndaj tyre.
Të lidhura
None found
Kovaçi solli një dëshmi konkrete mbi pasojat e ndërhyrjes policore pranë Ministrisë së Arsimit, ku një pjesëtar i stafit akademik u lëndua rëndë. Ai deklaroi se përdorimi i plumbave të gomës nuk është ndërprerë dhe se një anëtar i stafit ka pësuar një lëndim afër syrit. Ende i fashuar, ai ka kaluar spitalin dhe gjendja e tij shëndetësore është e mirë, ndërsa vazhdon të protestojë — i fashuar dhe me syze.
Lidhur me ujin me presion dhe gazin lotsjellës, Kovaçi theksoi se ato po përdoren pa dallim ndaj kujtdo që ndodhet në shesh, duke përfshirë pedagogë dhe intelektualë. Ai shtoi se kjo nuk ka ndodhur vetëm një ditë më parë, por në vazhdimësi, duke prekur profesoratin, mësuesit dhe qytetarët, jo vetëm nxënësit apo ata që konsiderohen më rebelë.
Sa i përket thirrjeve të kryeministrit Edi Rama për dialog me përfaqësuesit e universiteteve, Kovaçi i cilësoi ato si manovra politike për të përçarë lëvizjen rinore. Sipas tij, ftesa e Ramës për dialog është thjesht një kurth për studentët dhe nuk mund të ketë dialog kur dhuna vijon në terren.
Kreu i sindikatës konfirmoi sërish mbështetjen e plotë dhe të padiskutueshme të trupës pedagogjike për bojkotin universitar dhe protestën e të rinjve, duke deklaruar se nuk mund të jenë studentët në rrugë dhe pedagogët në auditore.







