Anëtari i Guxo-s, Luan Gacaferi, ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili kërkoi që kryeministri të hetohet lidhur me urdhrin e pretenduar për rrahjen e qytetarëve.
Të lidhura
None found
Gacaferi argumentoi se, nëse Kosova do të kishte prokurorë të duhur, përparësi do të duhej t’u jepej zbardhjes së më shumë se 1 mijë vrasjeve të shqiptarëve të kryera pas luftës në Kosovë.
“Po të kishim prokurorë siç duhet, fillimisht do të duhej të zbardheshin mbi 1 mijë vrasje të shqiptarëve pas luftës në Kosovë”, shkroi ai.
Ai theksoi se bëhet fjalë për vrasje të intelektualëve, pjesëtarëve të UÇK-së, komandantëve, aktivistëve të LDK-së dhe kryetarëve të komunave.
Sipas Gacaferit, një drejtësi funksionale do të kishte parandaluar edhe paraqitjen në Kuvend të deputetëve me automjete Maybach dhe Porsche, me vlerë mbi 160 mijë euro, ndërsa paga e tyre si deputetë është 1 mijë euro.
“Drejtësia ndonjëherë vonon, por nuk harron”, përfundoi ai në reagimin e tij.





