Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut thirri sot një përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë, i cili ushtron detyrën e të Ngarkuarit me Punë në mungesë të ambasadorit.
Të lidhura
None found
Gjatë takimit, pala maqedonase shprehu pakënaqësi lidhur me deklaratën e fundit të ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Bullgarisë, Ivan Demerxhiev, për rastin e Iva Mihailovës. Sipas MPJ-së, deklarata u cilësua si ofenduese dhe provokuese.
Po ashtu, u kundërshtua edhe deklarata e ambasadorit Zheljazko Radukov në televizionin bullgar “BTV”. Autoritetet maqedonase e vlerësuan atë si ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punët e brendshme të vendit, veçanërisht për shkak të vlerësimeve të bëra ndaj punës së institucioneve kompetente.
“Ne theksuam posaçërisht se provokime të tilla e largojnë dialogun dypalësh nga kuadri në të cilin duhet të zhvillohen marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të mbështetura në respekt të ndërsjellë, përmbajtje dhe komunikim konstruktiv”, deklaruan nga MPJ.
Ministria bëri të ditur se, në këtë rrethanë, një sjellje e tillë mund të çojë në nevojën për një reagim institucional të përshtatshëm, në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Kjo konventë përcakton qartë kufijtë e veprimit diplomatik dhe parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shtetit pritës.
“Në fund të takimit, u ritheksua angazhimi ynë për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të bazuara në respekt të ndërsjellë, besim dhe parime evropiane. Nga pala bullgare presim të njëjtin angazhim dhe përgjegjësi”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Në një intervistë, Demerxhiev i cilësoi autoritetet maqedonase si “serbe”. “Ne as nuk kërkojmë dhe as nuk do t’ua dorëzojmë autoriteteve serbe”, deklaroi Demerxhiev.





