Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, deklaroi se përgatitja e Kodit Penal është drejt fundit dhe se dokumenti pritet të dërgohet për mendim deri në përfundim të këtij muaji.
Të lidhura
None found
Duke iu përgjigjur pyetjes se si do ta bindë Bashkimin Evropian për zbatimin e reformave, në një kohë kur miratimi i Kodit Penal dhe Kodit Zgjedhor lidhet me arritjen e një marrëveshjeje politike, Shasivari tha se procesi për Kodin Penal së shpejti do të mbyllet.
“Kodi Penal ndodhet në fazën përfundimtare të hartimit. Pres që deri në fund të këtij muaji të dërgohet për mendim, ndërsa i gjithë procesi do të përfundojë së shpejti”, deklaroi Shasivari për “Lokalno”.
Sa i përket Kodit Zgjedhor, ministri bëri të ditur se pret që kryetari i LSDM-së dhe deputeti, Venko Filipçe, t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për takim në Kuvend. Ai gjithashtu kërkon që përfaqësues të kësaj partie të marrin pjesë në mbledhjen e radhës në Ministrinë e Drejtësisë.
Shasivari tha se në takimin e zhvilluar me të gjithë aktorët e përfshirë në procesin e miratimit mungoi një parti politike relevante. Për këtë arsye, ai ka ftuar Filipçen për një takim në Parlament, me synimin që në takimin e ardhshëm në Ministrinë e Drejtësisë të marrin pjesë edhe përfaqësues të LSDM-së dhe dialogu për Kodin e ri Zgjedhor të vijojë në frymë evropiane.
“Për Kodin Zgjedhor zhvilluam një takim me të gjithë pjesëmarrësit në proces, por fatkeqësisht një parti politike relevante nuk mori pjesë. Tashmë i kam dërguar ftesë kryetarit të LSDM-së dhe deputetit Venko Filipçe për t’u takuar në Parlament, në mënyrë që në takimin e ardhshëm në Ministrinë e Drejtësisë të kemi përfaqësues të LSDM-së në tryezë dhe ta vazhdojmë dialogun për Kodin e ri Zgjedhor në mënyrë evropiane dhe me frymë evropiane”, tha Shasivari./Telegrafi/





