Amir Abrashi ka shënuar një tjetër arritje të veçantë në karrierën e tij, duke luajtur për herë të 300-të me fanellën e Grasshoppersit.
Të lidhura
None found
Rekordin e vendosi në përballjen e Kupës kundër Grenchenit, duke forcuar edhe më shumë vendin e tij si një prej emrave më të rëndësishëm në historinë e klubit zviceran.
Me rastin e kësaj arritjeje, mediumi zviceran “Blick” ka sjellë në vëmendje disa prej episodeve më të spikatura të rrugëtimit të mesfushorit shqiptar te Grasshoppersi, ku ai është dalluar për karakterin, përkushtimin dhe shpirtin luftarak.
Një nga momentet më simbolike u regjistrua në maj, në duelin vendimtar ndaj Aaraut. Grasshoppersi synonte të shmangte rënien nga elita për të tretin sezon radhazi.
Gjatë kohës shtesë, lojtari kundërshtar Obexer e goditi Abrashin në fytyrë dhe u ndëshkua me karton të kuq. Kapiteni i GC-së mori qepje në kokë në mes të fushës, por nuk u tërhoq dhe vijoi të luante, duke ndihmuar ekipin të siguronte mbijetesën.
Pas përfundimit të takimit, ende me fytyrën e mbuluar nga gjaku, Abrashi e përmblodhi marrëdhënien e tij me klubin me fjalët: E dua këtë klub.
Por karriera e tij te Grasshoppersi përmban edhe episode më të pazakonta. Në gusht të vitit 2012, kur ishte 22 vjeç, ai shënoi golin që i dha skuadrës fitoren 2-0 në transfertën ndaj Luzernit.
Festimi, megjithatë, përfundoi në mënyrë të papritur. Bashkëlojtari Toko e kapi Abrashin nga pas dhe i lëndoi këmbën, duke e detyruar atë të linte fushën.
“Blick” e kishte cilësuar këtë si “Festimi më i marrë i të gjitha kohërave”. Vetë Abrashi reagoi me humor ndaj ngjarjes, duke thënë pas ndeshjes: “E rëndësishme është që i morëm tri pikët”.
Në pranverën e vitit 2024, pas disfatës 3-0 kundër Young Boysit, mesfushori tregoi edhe një herë rolin e tij si lider. Në një moment kur Grasshoppersi rrezikonte seriozisht rënien, ai mblodhi lojtarët në fushë dhe u kërkoi të mos dorëzoheshin.
“U thashë djemve se nuk dua të shoh asnjë reagim negativ gjatë ditëve në vijim”, kujtoi ai më vonë.
Grasshoppersi e siguroi mbijetesën përmes ndeshjeve të play-offit. Në maj të po atij viti, pas fitores dramatike në minutat e fundit ndaj Thunit, Abrashi e përshkroi atë si momentin më të mirë të karrierës së tij.
“Ndihem sikur më janë hequr tri kilogramë nga trupi”, deklaroi ai, pasi skuadra kishte kaluar presionin e madh të betejës për mbijetesë.
Ajo periudhë kishte një rëndësi të dyfishtë për Abrashin, pasi vetëm një javë përpara ndeshjes vendimtare ai ishte ftuar nga Kombëtarja e Shqipërisë për Kampionatin Evropian të vitit 2024 në Gjermani.
“Prioriteti im ishte ta mbaja GC-në në elitë. Tani mund t’i bashkohem Kombëtares. Çfarë mund të dëshirosh më shumë në karrierën tënde?”, ishte shprehur ai.
Përveç sfidave për qëndrimin në elitë, Abrashi ka përjetuar edhe momente triumfi me klubin zviceran. Në maj të vitit 2013, ai fitoi Kupën e Zvicrës, pasi Grasshoppersi mposhti Baselin në finale pas ekzekutimit të penalltive.
Asokohe 23 vjeç, Abrashi ishte pjesë e formacionit titullar dhe luajti në çdo ndeshje të fushatës që e çoi klubin drejt trofeut.
Kupa e Zvicrës mbetet trofeu i fundit i madh i Grasshoppersit. Më vonë, Abrashi fitoi edhe titullin e Bundesligës së dytë gjermane me Freiburgun, në vitin 2016.
Mesfushori shqiptar ka ndërtuar gjithashtu një histori të veçantë në derbin e Cyrihut kundër FC Zurichut. Ai ka marrë pjesë në 32 derbi, më shumë se çdo lojtar tjetër aktiv, duke grumbulluar 11 kartonë të verdhë dhe një të kuq.
Abrashi nuk e ka fshehur asnjëherë rivalitetin me kundërshtarin lokal. “Derbit janë një nivel mbi të gjitha ndeshjet e tjera. Pas fitores më pëlqen të dal në qytet për të ngrënë, por pas humbjes fshihem”, kishte deklaruar ai./




