Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Sasho Klekovski, dhe ministrja bullgare e Shëndetësisë, Katja Ivkova, firmosën sot në Sofje Planin e Bashkëpunimit mes ministrive përkatëse të dy vendeve, i cili mbulon periudhën 2026–2028.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, dokumenti shpreh vullnetin e përbashkët për zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit në shëndetësi dhe në shkencat mjekësore. Ky bashkëpunim do të bazohet në barazi, reciprocitet dhe interesa të përbashkëta.
Plani përfshin ndarjen e të dhënave dhe përvojave, dërgimin e specialistëve për trajnime e konsultime, pjesëmarrjen në aktivitete mjekësore dhe shkencore, zhvillimin e projekteve të përbashkëta praktike e kërkimore, si dhe organizimin e kurseve dhe seminareve.
Ndër prioritetet e përcaktuara janë kujdesi parësor dhe ai i specializuar, shërbimet spitalore, parandalimi dhe kontrolli i sëmundjeve ngjitëse e jongjitëse, mbikëqyrja epidemiologjike, statistikat mjekësore, përgatitja e reagimit shëndetësor në raste emergjencash dhe shëndetësia elektronike, krahas fushave të tjera me interes të përbashkët.
Gjatë qëndrimit në Sofje, ministri Klekovski vizitoi edhe Kompleksin Spitalor Universitar të Obstetrikës dhe Gjinekologjisë „Majçin dom”. Atje ai u informua për veprimtarinë e institucionit dhe për praktikat moderne në shëndetin e nënës dhe fëmijës, me vëmendje të posaçme ndaj neonatologjisë dhe kujdesit për të porsalindurit.
Në takimet me ekipet mjekësore u diskutua përvojën e palëve dhe mundësitë e rritjes së bashkëpunimit, veçanërisht në skriningun neonatal dhe identifikimin në kohë të problemeve shëndetësore te të porsalindurit.
Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se „Majçin dom” ka klinikën më të madhe të neonatologjisë në Bullgari, e pajisur me repart të kujdesit intensiv dhe aparatura moderne. Brenda këtij institucioni funksionon edhe Laboratori Kombëtar i Gjenetikës, i cili realizon skriningun e të porsalindurve, përfshirë testimet metabolike dhe gjenetike.







