AC Milani është bërë pjesë e garës për mbrojtësin e Barcelonës, Jules Kounde, duke iu bashkuar Chelseat dhe Bayernit. Lajmi është raportuar nga gazeta spanjolle SPORT, e cila i referohet mediumit italian Calciomercato.
Të lidhura
None found
Skuadra italiane synon të përforcojë mbrojtjen me një lojtar të nivelit të lartë dhe reprezentuesi francez është përfshirë në listën e objektivave të saj. Kounde mund të largohet nga Barcelona nëse në drejtim të klubit arrin një ofertë e konsiderueshme.
Chelsea kishte provuar ta transferonte francezin edhe para se ai të nënshkruante me Barcelonën, ndërsa interesim për situatën e tij ka shfaqur edhe Bayerni.
Roli i Koundes në formacionin e Barcelonës është një prej faktorëve që ka nxitur vëmendjen e klubeve të tjera. Nën drejtimin e Hansi Flickut, ai nuk konsiderohet më titullar i padiskutueshëm. Minutat e tij janë shtuar pas pushimit të fundit për ndeshjet e kombëtareve, por Eric Garcia vazhdon të ketë përparësi në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Pavarësisht interesimit, Barcelona nuk e ka në plan ta shesë menjëherë Kounden. Francezi ka kontratë me klubin deri në qershor të vitit 2030 dhe deri tani nuk ka shprehur dëshirë për t’u larguar.
Sipas raportimit, nëse katalunasit do të detyroheshin të siguronin të ardhura të mëdha përmes shitjeve, drejtuesit sportivë mund të shqyrtonin fillimisht largimin e Alejandro Baldes, përpara atij të Koundes.
Mbrojtësi spanjoll ka humbur hapësirë në formacion, ndërsa Joao Cancelo dhe Xavi Espart llogariten gjithashtu si alternativa për pozicionin e mbrojtësit të majtë.
Një nga avantazhet kryesore të Koundes për Barcelonën është aftësia e tij për të luajtur si në krahun e djathtë, ashtu edhe në qendër të mbrojtjes.
Megjithatë, një ofertë e rëndësishme financiare mund ta shtyjë drejtorin sportiv Deco të rishqyrtojë të ardhmen e futbollistit.
Deri tani, asnjë klub nuk ka paraqitur ofertë zyrtare për francezin, i cili aktualisht është i dëmtuar. Ende nuk është bërë e ditur se sa do të zgjasë rikuperimi i tij./




