Samiti i Ballkanit, që po zhvillohet në Prishtinë, po shërben si një platformë ku bizneset, institucionet financiare dhe përfaqësuesit e vendimmarrjes mund të shkëmbejnë informacione mbi nevojat zhvillimore dhe mundësitë për investime në Kosovë e në rajon.
Të lidhura
None found
Kështu është shprehur para nisjes së samitit drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, i cili e ka cilësuar këtë organizim të rëndësishëm për ekonominë e vendit dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Sipas tij, në Prishtinë dhe në Kosovë ka munguar një hapësirë e tillë, ku aktorë të ndryshëm nga sektori privat, institucionet financiare dhe strukturat vendimmarrëse të ekonomisë të ulen së bashku për të diskutuar nevojat zhvillimore të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Absolutisht po, meqenëse Prishtinës dhe Kosovës i mungojnë organizimet e tilla ku akterë të ndryshëm nga bota e biznesit, institucioneve financiare, akterë vendimmarrës nga fusha e ekonomisë bëhen bashkë dhe diskutojnë për nevojat zhvillimore”, ka thënë Zeka.
Zeka ka nënvizuar se investitorët e huaj kanë pak informacion për potencialin ekonomik, mundësitë dhe kërkesat e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për këtë arsye, ai e sheh samitin si një mundësi për komunikim më të mirë mes të gjitha palëve të interesuara.
“Për vendin, për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor ekzistojnë pak informata në mesin e investitorëve të huaj dhe çfarëdo konference si kjo e Samitit të Ballkanit natyrisht që mundësojnë shkëmbimin më të mirë të informatave me gjitha këto grupe të hisedarëve që përmenda”, ka deklaruar ai.
Gjatë sesionit plenar kushtuar transportit, me temën “Lëvizja e korridorit: Rrugë, hekurudha, tunele dhe ura në Evropë”, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë ka kërkuar që vëmendja të përqendrohet në projekte konkrete infrastrukturore dhe në sektorët me potencial për zhvillim.
Ai ka shprehur pritshmërinë që në samit të trajtohen çështjet që lidhen me energjinë, transportin dhe tërheqjen e investimeve, së bashku me sigurimin e financimit të nevojshëm për zbatimin e projekteve.
“Uroj që të ketë diskutim konkret për nevojat zhvillimore nga fusha të ndryshme, fusha energjetike, fusha e transportit, aspekti i tërheqjes së investimeve”, ka thënë Zeka.
Një rol të rëndësishëm në këto diskutime, sipas tij, duhet të kenë edhe institucionet financiare ndërkombëtare, si Banka Botërore dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare, si dhe institucionet shtetërore që financojnë projekte.
Zeka ka vlerësuar se përfshirja e këtyre institucioneve do të mundësonte që përveç identifikimit të nevojave zhvillimore, të diskutoheshin edhe burimet financiare për projektet që synojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe të rajonit.



