Samiti i Ballkanit: Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut me potencial të madh për investime

Richard James Lowden Record, ekonomist kryesor i Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor, deklaroi në Samitin e Ballkanit se Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut paraqesin mundësi të rëndësishme për investime. Samiti po zhvillohet me fokus të veçantë te investimet private dhe projektet e infrastrukturës publike, me një vlerë prej 30 miliardë eurosh në këto tri vende.

Të lidhura

None found

Sipas Record, në Ballkanin Perëndimor po rikthehet interesi i investitorëve, ndërsa vendet e rajonit po tregojnë përkushtim më të madh ndaj integrimit evropian. Ai vlerësoi se mundësitë e ofruara nga rajoni mbeten ende në masë të konsiderueshme të pashfrytëzuara.

Megjithatë, ekonomisti i Bankës Botërore theksoi se këto zhvillime po ndodhin në një kontekst ndërkombëtar më të ndërlikuar. Rritja më e ngadaltë ekonomike në Evropë, pasiguria gjeopolitike, ndryshimet në zinxhirët e furnizimit, përparimi teknologjik dhe zgjerimi i shpejtë i përdorimit të inteligjencës artificiale janë disa prej sfidave kryesore të përmendura prej tij.

Record tha se të tria ekonomitë kanë disa avantazhe të përbashkëta, të cilat mund të mbështesin rritjen ekonomike dhe tërheqjen e kapitalit të huaj. Në mesin e tyre ai renditi popullsinë e re, bazat makroekonomike dhe stabilitetin ekonomik.

Një tjetër element i rëndësishëm, sipas tij, janë lidhjet e fuqishme me diasporën. Këto raporte krijojnë mundësi për qasje në rrjete investitorësh, burime financimi, profesionistë të talentuar dhe ide të reja.

“Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, po shohim një interes të ripërtërirë të investitorëve dhe një përkushtim më të madh ndaj integrimit evropian, qëndrueshmëri më të fortë makroekonomike dhe një njohje gjithnjë e më të madhe se ky rajon ofron mundësi të konsiderueshme ende të pashfrytëzuara. Megjithatë, po veprojmë edhe në një mjedis global shumë më sfidues, i karakterizuar nga rritja më e ngadaltë ekonomike në të gjithë Evropën, si në ekonomitë e zhvilluara, ashtu edhe në ato në zhvillim, pasiguria e shtuar gjeopolitike, riorganizimi i zinxhirëve të furnizimit, zhvillimet përçarëse teknologjike dhe përhapja e shpejtë e inteligjencës artificiale. Këto tri ekonomi, dhe sigurisht edhe Grupi i Bankës Botërore, vlerësojnë se Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë potencial të konsiderueshëm”, theksoi Record.

Ai vuri në dukje edhe pozitën gjeografike të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe orientimin e tyre të përbashkët drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Ato kanë disa përparësi të përbashkëta. Kanë demografi të favorshme dhe popullsi të reja, në një kohë kur ekonomitë e zhvilluara të Evropës po përballen gjithnjë e më shumë me plakjen e popullsisë. Gjithashtu, kanë themele të forta makroekonomike, të ndërtuara me shumë përpjekje, inflacion të ulët, norma të ulëta interesi dhe stabilitet ekonomik… Dhe, natyrisht, së fundi, të tria ekonomitë janë të pozicionuara pranë zemrës së Evropës, si gjeografikisht, ashtu edhe për sa i përket aspiratave dhe mentalitetit të popullsisë, me një përkushtim të përbashkët ndaj integrimit evropian”, u shpreh Record.

Gjatë ditës së parë të Samitit të Ballkanit janë parashikuar katër panele. Në to do të marrin pjesë edhe ministra të Qeverisë së Kosovës.


Shtuar më 19.10.2026 11:08