Tiger Shroff i shpëton sulmit me armë në Mumbai, plagoset shoferi i aktorit

Aktori 36-vjeçar Tiger Shroff nuk u lëndua, pasi persona të panjohur qëlluan mbi automjetin ku ai udhëtonte në Mumbai të Indisë, të dielën në mbrëmje, më 18 tetor. Nga sulmi mbetën të plagosur dy persona, përfshirë shoferin e tij.

Të shtënat ndodhën në lagjen Juhu dhe kanë rikthyer shqetësimet për sigurinë e personazheve të njohur në Indi. Sipas mediave vendase, Shroff po largohej nga një klub futbolli ku kishte shkuar për të luajtur, kur disa persona të armatosur iu afruan makinës dhe qëlluan nga afër.

Të lidhura

None found

Video të publikuara në media duket se tregojnë të paktën dy persona që qëllojnë disa herë drejt automjetit. Në afërsi ndodheshin edhe qytetarë të tjerë.

Policia e Mumbait bëri të ditur se dy persona u plagosën. Krahas shoferit të aktorit, mediat lokale raportuan se mes të lënduarve ishte edhe drejtuesi i një taksie me tre rrota, i cili ndodhej pranë vendit të ngjarjes.

Shoferi i Shroff u dërgua për mjekim, ndërsa autoritetet kanë nisur kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Policia po shqyrton dëshmitë dhe regjistrimet e kamerave të sigurisë për të sqaruar se si ndodhi sulmi.

Mediet indiane raportojnë se autoritetet po verifikojnë gjithashtu një pretendim për përgjegjësi nga një organizatë kriminale e lidhur me Lawrence Bishnoi. Deri tani, zyrtarët nuk e kanë konfirmuar vërtetësinë e këtij pretendimi.

Zëvendëskryeministri i Maharashtras, Eknath Shinde, e dënoi sulmin dhe shkoi të takonte aktorin pas ngjarjes. “Këto përpjekje për frikësim nuk do të tolerohen dhe ne do t’i japim fund këtij lloj huliganizmi”, tha ai.

Incidenti vjen në një kohë kur siguria e yjeve të Bollywood-it mbetet në qendër të vëmendjes. Në vitin 2024, policia arrestoi dy të dyshuar për përfshirje në të shtënat ndaj banesës së aktorit Salman Khan.

Po në vitin 2024, në Mumbai u vra nga persona të armatosur politikani Baba Siddique. Vrasja nxiti reagime të forta dhe shqetësime lidhur me veprimtarinë e grupeve kriminale.

Tiger Shroff është një nga aktorët e njohur të kinemasë moderne indiane. Ai u shfaq për herë të parë në film në vitin 2014, në prodhimin romantik Heropanti, dhe më pas u dallua në role aksioni. Aktori është gjithashtu i apasionuar pas futbollit; për të luajtur këtë sport kishte shkuar në klubin nga i cili po largohej kur ndodhi sulmi.


Shtuar më 19.10.2026 08:09