Kontrollet në terren për mbrojtjen e mjedisit dhe ujërave kanë vijuar nga Inspektorati i Mjedisit, i cili ka ndërprerë punimet e një kompanie dhe ka shqiptuar tri gjoba administrative për shkelje të evidentuara.
Të lidhura
None found
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, njoftoi se gjatë kësaj jave është pezulluar puna e një kompanie që merrej me separimin e inerteve, pasi nuk dispononte leje ujore.
“Për shkeljet e konstatuara në menaxhimin e ujërave dhe në aktivitetet e operatorëve janë shqiptuar tri gjoba administrative”, deklaroi Pacolli.
Inspektorët kanë kontrolluar gjithashtu gurthyesit, të cilëve u është kërkuar të dorëzojnë raportet e analizave të pluhurit për vitin 2026.
Ndërkohë, në hapësirën e magazinimit të mbetjeve radioaktive në Termocentralin Kosova A janë konstatuar mangësi në administrimin e ujit. Për rregullimin e tyre është caktuar një afat.
Ministrja bëri të ditur se kontrolle janë kryer edhe lidhur me ndërhyrjet në rrjedhat ujore në disa komuna.
“Inspektorati do t’i vijojë kontrollet dhe do të marrë masa ligjore për çdo shkelje të konstatuar”, theksoi Pacolli.






