Basha shkruan në libër për Berishën: Nuk është në formimin tim të “vras babain”

Kryedemokrati Lulzim Basha këtë të hënë ka publikuar librin e tij të parë “Misioni im”.

Në libër, Basha trajton mënyrën se si ai e ka parë politikën gjatë gjithë këtyre viteve, teksa një pjesë të rëndësishme i ka kushtuar edhe vizionit që ka për vijimësinë e politikës e rolin e tij në të.

Në një pjesë të tij, Basha ka folur dhe për raportin e ngushtë që ka me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe faktin që ka qenë kaq i “sulmuar”.

“Së pari, lidershipi im në krye të Partisë Demokratike erdhi pas gati 25 vitesh drejtimi dhe dominimi nga lideri i saj historik Sali Berisha, i cili nga vetë kushtet historike kishte një peshë shumë të madhe në jetën politike dhe në gjirin e Partisë Demokratike.”- shkruan ndër të tjera Basha.

Pasazh nga libri

Së pari, lidershipi im në krye të Partisë Demokratike erdhi pas gati 25 vitesh drejtimi dhe dominimi nga lideri i saj historik Sali Berisha, i cili nga vetë kushtet historike kishte një peshë shumë të madhe në jetën politike dhe në gjirin e Partisë Demokratike.
Krijimi i profilit tim mbas këtij lidershipi nuk ishte diçka e lehtë. Tentacionet dhe keqkuptimet rreth kësaj gjëje janë të pafundme dhe kur i dëgjoj më bëjnë të qesh.

Kam patur ftesa private apo publike, miklime apo thirrje, marrëveshje apo “deklamime” për të “vrarë babain”.
Është qesharake, sepse nuk është as në traditën e partive të djathta, as në botëkuptimin apo në formimin tim dhe as në traditën e fisnikërisë apo konservatorizmit që të “vrasim babain”.


Shtuar 25.03.2021 13:31