KMSH reagon për protestat në Tiranë: Dialogu dhe llogaridhënia janë thelbësore për shoqërinë

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar lidhur me protestat masive që po zhvillohen në Tiranë, duke kërkuar reflektim të sinqertë, përgjegjshmëri dhe ruajtje të paqes sociale.

Përmes një deklarate mbi situatën e fundit në vend, KMSH vlerëson se e drejta e qytetarëve për t’u shprehur, për të protestuar dhe për të kërkuar llogaridhënie është një element i rëndësishëm i jetës shoqërore. Në të njëjtën kohë, institucioni u kërkon autoriteteve t’u përgjigjen seriozisht shqetësimeve të qytetarëve dhe të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje, duke shmangur çdo formë dhune.

Të lidhura

None found

KMSH shprehet se çdo konflikt apo mosmarrëveshje duhet të trajtohet përmes dialogut, dëgjimit të ndërsjellë dhe respektimit të ligjit.

Institucioni fetar bën thirrje për më shumë urtësi dhe mirëkuptim, duke nënvizuar se paqja, dinjiteti njerëzor dhe e ardhmja e Shqipërisë duhet të jenë mbi çdo ndarje politike apo shoqërore.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë thotë se po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit dhe protestat në vend, ndërsa shpreh shqetësim për çdo rrethanë që mund të dëmtojë paqen sociale, sigurinë dhe bashkëjetesën mes qytetarëve.

Sipas KMSH-së, e drejta për të shprehur mendimin, për të protestuar dhe për të kërkuar llogaridhënie përbën një pjesë të rëndësishme të jetës së përbashkët. Megjithatë, ruajtja e paqes, respekti për tjetrin dhe refuzimi i dhunës janë përgjegjësi që u përkasin të gjithëve.

Në këtë situatë, thuhet në deklaratë, kërkohen maturi, urtësi dhe përgjegjësi nga çdo palë, në mënyrë që të vlerësohen pasojat që fjalët dhe veprimet mund të kenë mbi jetën e përbashkët. KMSH u bën thirrje institucioneve të shqyrtojnë me seriozitet kërkesat e qytetarëve, ndërsa aktorëve të tjerë u kërkon të shmangin gjuhën nxitëse, urrejtjen dhe çdo veprim që mund të shtojë përçarjen.

Institucioni thekson se dinjiteti njerëzor, siguria dhe e mira e vendit duhet të jenë në qendër të çdo vendimi. Çdo mosmarrëveshje, pavarësisht vështirësisë së saj, duhet të kërkojë zgjidhje përmes komunikimit, dëgjimit të ndërsjellë dhe respektimit të ligjit e institucioneve.

Shqipëria përshkruhet si shtëpia e përbashkët e të gjithë qytetarëve. KMSH vlerëson se ndryshimet në bindje dhe qëndrime nuk duhet të shndërrohen në arsye për largim, por duhet të shërbejnë si kujtesë se paqja, dinjiteti njerëzor dhe e ardhmja e vendit janë vlera që bashkojnë shoqërinë përtej dallimeve politike dhe shoqërore.

Si institucion fetar, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shprehet se do të vijojë të mbështesë paqen, harmoninë, mirëkuptimin dhe bashkëjetesën. Sipas tij, fjala e urtë është më e fuqishme se zemërimi, dialogu sjell më shumë rezultate se përplasja dhe përgjegjësia ndaj së mirës së përbashkët duhet të drejtojë çdo veprim.

Në përfundim, KMSH lutet që Zoti i Madhëruar t’i sjellë vendit qetësi dhe urtësi, t’i udhëheqë të gjithë drejt së mirës, t’u japë zemrave paqe e mirëkuptim dhe t’i ndihmojë drejtuesit, qytetarët dhe të gjithë aktorët e shoqërisë të gjejnë rrugën e dialogut dhe të zgjidhjeve të drejta.

Zoti e ruajtë Shqipërinë, i mbrojtë qytetarët e saj dhe i udhëzoftë të gjithë drejt paqes, drejtësisë dhe së mirës së përbashkët. Amin!


Shtuar më 18.10.2026 18:25