Zhegrova në garë për ta nisur si titullar ndaj Lazios

Edon Zhegrova po rrit shanset për të qenë në formacionin e parë të Juventusit në sfidën e Serie A kundër Lazios, e programuar për të dielën në orën 20:45.

Të lidhura

None found

Paraqitjet e mira të fundit dhe vlerësimet pozitive nga trajneri Luciano Spalletti kanë shtuar pritshmëritë se sulmuesi kosovar do të ketë më shumë minuta në ndeshjet e ardhshme.

Siç raporton mediumi italian “Tuttosport”, Zhegrova tashmë shihet si kandidat serioz për një vend në formacionin titullar. Në fillim të shtatorit, ndërkaq, ai konsiderohej ndër opsionet e fundit në repartin ofensiv të bardhezinjve.

Roli i 27-vjeçarit është rritur hap pas hapi: fillimisht u aktivizua si zëvendësues ndaj Sassuolos, e më pas dha kontribut edhe kundër Atalantas, duke asistuar në golin e Bremerit.

Lodhja e Francisco Conceiçãos mund të jetë një tjetër rrethanë në favor të kosovarit. Portugezi shpenzoi shumë energji në ndeshjen ndaj Celta Vigos, çka po e bën Spallettin ta konsiderojë me seriozitet aktivizimin e Zhegrovës nga minuta e parë ndaj Lazios.

Edhe komentet e fundit të Spallettit kanë qenë pozitive. Trajneri italian ka lavdëruar paraqitjet e anësorit kosovar dhe ka lënë të kuptohet se ai mund të marrë më shumë hapësirë në skuadër.

Ndeshja me Lazion mund të përbëjë një hap të rëndësishëm për futbollistin e Kosovës, që synon të fitojë besimin e plotë të trajnerit dhe të ketë rol më të madh te bardhezinjtë. Përbërja përfundimtare, megjithatë, mbetet në dorën e Spallettit.


Shtuar më 18.10.2026 09:51