Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) në Tetovë ka ngritur akuza ndaj pushtetit komunal, duke pretenduar se po përgatitet privatizimi i stacionit të zjarrfikësve përmes një partneriteti publiko-privat. Sipas partisë, bëhet fjalë për një nga rastet më serioze të rrezikimit të pronës publike në qytet.
Të lidhura
None found
Këshilltarët e AKI-së në Këshillin Komunal të Tetovës, thuhet në reagim, po përpiqen ta ndalojnë atë që e cilësojnë si “vjedhjen më të madhe të pronës publike që Tetova ka parë ndonjëherë pas rastit të Monopolit”.
Partia pretendon se projekti parashikon dhënien e stacionit të zjarrfikësve në kuadër të një modeli partneriteti publiko-privat, ndërsa vlera e tij kalon 10 milionë euro. Në këtë shumë, sipas AKI-së, përfshihen toka publike dhe shpenzime të mbuluara nga buxheti i Komunës.
“Stacioni i zjarrfikësve tentohet të vidhet e të privatizohet, duke e maskuar këtë si partneritet publiko-privat. Më shumë se 10 milionë euro do të zhvaten përmes dhënies së tokës publike dhe zhvatjes së buxhetit komunal,” thuhet në reagimin e AKI-së.
AKI akuzon drejtuesit e Komunës së Tetovës se po e shohin pasurinë publike si pronë private. Partia nënvizon se toka komunale u përket qytetarëve dhe brezave të ardhshëm.
“Kjo pronë nuk është e tyre. Është e tetovarëve, e fëmijëve tanë dhe e brezave që vijnë. Çdo metër tokë publike që humbet sot është një mundësi më pak për të ardhmen e këtij qyteti”, theksojnë ata.
Ndërkaq, AKI u ka bërë thirrje qytetarëve që të mbështesin përpjekjet për ruajtjen e pronës publike. Partia e përshkruan këtë si një përballje për dinjitetin e Tetovës dhe e mbyll reagimin me thirrjen: “Ndal vjedhjes së pronave publike”.







