VIDEO/ Mes qindra dyqaneve, përse studentët dogjën vetëm zyrat e iuteCredit?!

A ishte sulmi ndaj zyrës së kompanisë së mikrokredive një akt i rastësishëm vandalizmi apo shprehje e një pakënaqësie më të thellë qytetare? Ngjarja e raportuar gjatë protestës në Tiranë ngre pikëpyetje që shkojnë përtej dëmeve materiale dhe rikthejnë në vëmendje debatin mbi kostot e kredive të shpejta dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Protesta e studentëve dhe të rinjve në Tiranë, e cila vazhdon akoma, u shoqërua me tensione, përplasje me policinë dhe dëmtime materiale. Por mes ngjarjeve të ditës, një episod i raportuar meriton vëmendje të veçantë: djegia e zyrës së kompanisë së mikrokredive iuteCredit.

Të lidhura

None found

Por, ajo që bie në sy nga pamjet e shpërndara në rrjete sociale dhe është konfirmuar nga portali i lajmeve Albeu.com, është fakti se mes një numri të madh biznesesh përgjatë itinerarit të protestës, vetëm zyra e kësaj kompanie është sulmuar. Atëherë lind një pyetje e pashmangshme: Përse pikërisht iuteCredit?

A ishte një objektiv i zgjedhur rastësisht, në kaosin e protestës, apo emri i kompanisë përfaqëson për një pjesë të qytetarëve një simbol të problemeve që lidhen me kreditë e shpejta, interesat e larta dhe barrën financiare të familjeve?

Kur një kredi e vogël mund të kthehet në barrë të madhe

Prej vitesh, sektori i mikrokredive në Shqipëri është shoqëruar me debate për interesat, komisionet, penalitetet e vonesave dhe mënyrën e mbledhjes së detyrimeve.

Për shumë qytetarë, një kredi e shpejtë mund të jetë zgjidhje e përkohshme për një nevojë urgjente. Por kur kostot janë të larta dhe aftësia paguese e kufizuar, e njëjta kredi mund të kthehet në një detyrim të rëndë financiar.

Edhe iuteCredit ka qenë objekt denoncimesh publike nga qytetarë dhe raportimesh mediatike për praktika të kontestuara kredidhënieje.

Sipas listës së çmimeve të publikuar nga vetë iuteCredit, në fuqi prej 12 shkurtit 2026, norma nominale vjetore e interesit për kreditë cash mund të arrijë deri në 44.4%, ndërsa për kreditë e produkteve te partnerët deri në 44.1%.

Për një qytetar që përballet me vështirësi ekonomike, dallimi mes shumës së marrë në dorë dhe detyrimit përfundimtar mund të jetë vendimtar.

A është grumbulluar pakënaqësia ndaj mikrokredive?

Në një vend ku shumë familje përballen me vështirësi ekonomike, papunësi, paga të ulëta dhe kosto të lartë jetese, kreditë e shpejta nuk janë thjesht produkte financiare.

Ato lidhen me mundësinë e një familjeje për të përballuar një emergjencë, për të blerë pajisje shtëpiake apo për të mbuluar shpenzimet e muajit.

Problemi lind kur një detyrim i vogël fillestar bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u shlyer.

Denoncimet publike, ankesat e konsumatorëve dhe rastet e kontestuara të përmbarimit kanë ngritur pyetje serioze për mënyrën se si funksionon një pjesë e tregut të kredive jobankare.

Prandaj, sulmi i raportuar ndaj zyrës së iuteCredit ngre edhe një hipotezë që nuk duhet anashkaluar: a mund të ketë pasur pas këtij veprimi një pakënaqësi të akumuluar ndaj kompanisë ose sektorit që ajo përfaqëson?

Kjo mbetet një hipotezë, jo një përfundim por që pamjet tregojnë shumëcka

Një pyetje edhe për Bankën e Shqipërisë

Ngjarja është gjithashtu një rast për të rikthyer vëmendjen te mbikëqyrja e institucioneve financiare jobanka.

Banka e Shqipërisë, si autoriteti mbikëqyrës i këtij sektori, ka përgjegjësinë të kontrollojë respektimin e rregullave dhe transparencën e produkteve financiare.

Sa të kuptueshme janë realisht kontratat për konsumatorin e zakonshëm? Sa qartë paraqiten interesat efektive, komisionet dhe penalitetet? Sa efektive janë mekanizmat e trajtimit të ankesave?

Dhe, mbi të gjitha, sa të mbrojtur janë qytetarët që marrin kredi të vogla pikërisht sepse ndodhen në një situatë të vështirë ekonomike?

Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje institucionale, pavarësisht se kush rezulton përgjegjës për incidentin e protestës.

Djegia e një biznesi, sulmi ndaj pronës private apo rrezikimi i jetës së njerëzve nuk mund të justifikohen si formë proteste.

Përgjegjësia për çdo akt të tillë duhet të përcaktohet nga organet ligjzbatuese, mbi bazën e provave.

Por dënimi i dhunës nuk duhet të mbyllë debatin për problemet reale që mund të ekzistojnë në marrëdhënien mes institucioneve financiare dhe qytetarëve.

Nëse sulmi ndaj iuteCredit rezulton të ketë qenë i qëllimshëm, duhet zbardhur jo vetëm kush e kreu, por edhe përse u zgjodh pikërisht ai objektiv.

Nëse ishte një akt i rastësishëm, kjo duhet të sqarohet po ashtu.

Sepse pyetja që mbetet nuk është vetëm se kush i vuri flakën një zyre, por nëse pas këtij episodi qëndron një pakënaqësi më e gjerë sociale që institucionet nuk e kanë dëgjuar sa duhet.

Dhe për këtë, përgjigje u detyrohen publikut si autoritetet shtetërore, ashtu edhe vetë kompania iuteCredit. /albeu.com/


Shtuar më 13.10.2026 20:23