Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë hapur kundër propozimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me të cilin kërkohet zbatimi i numërimit elektronik të votave në katër prej bashkive më të mëdha të vendit, në zgjedhjet e ardhshme vendorë.
Përmes një deklarate për opinionin, lideri i djathtës theksoi se refuzimi i partisë së tij ndaj këtij sistemi është i plotë dhe pa asnjë kompromis, duke e justifikuar me faktin se numërimi elektronik ka pësuar manipulime të rënda e turpëruese në proceset e mëparshme zgjedhore.
Të lidhura
None found
Berisha nuk e la pa përmendur as Shërbimin Informativ Kombëtar, institucion të cilin e akuzoi për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në numërimin elektronik, duke e përshkruar me epitetin “narko-shërbimi informativ”.
Ai argumentoi se në këtë proces janë ngritur servera paralelë dhe se problemet e dalura kanë qenë të mëdha. Pikërisht për këtë arsye, shtoi ai, Partia Demokratike nuk ka ndërmend të pranojë më asgjë që mund të manipulohet brenda procesit zgjedhor.



