Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e përshëndeti zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës në postin e presidentes së Kosovës, duke e konsideruar atë një zhvillim që garanton stabilitetin institucional.
Të lidhura
None found
Gjatë ceremonisë së organizuar për Ditën e bashkimit të Gjermanisë, Haxhiu theksoi se Shiroka-Pula është gruaja e tretë që merr detyrën e presidentes së Kosovës.
“Në këtë festë po vijmë edhe me një lajm të mirë nga vendi ynë dhe nga Kuvendi i Republikës së Kosovës: kemi zgjedhur presidenten e re të Republikës së Kosovës dhe tash do të kemi stabilitet institucional. Ndoshta edhe ambasadori gjerman ka pritur që ne ta përzgjidhnim presidenten e re, përpara se ta organizonte më 3 tetor festën e ribashkimit të Gjermanisë”, deklaroi Haxhiu.
Ajo shtoi se presidentja e re, Justina Shiroka Pula, është presidentja e tretë grua, ose e katërta nëse llogaritet edhe vetë Haxhiu, e cila kishte ushtruar detyrën e presidentes. Haxhiu nënvizoi gjithashtu se në kryesinë e Kuvendit, e përbërë nga gjashtë anëtarë, katër janë gra: ajo si kryetare dhe tri nënkryetare, mes tyre edhe Emilija Rexhepi.
Haxhiu e cilësoi Gjermaninë si një shembull të rëndësisë që gratë kanë në drejtimin e shtetit dhe kujtoi peshën historike të bashkimit gjerman, të shënuar më 3 tetor 1990.





