Kantrida moderne do të ngrihet buzë Adriatikut, me kapacitet deri në 20 mijë tifozë dhe hotel pranë stadiumit

Rijeka ka nisur përgatitjet për rikthimin e stadiumit legjendar Kantrida, i cili pritet të rindërtohet me një koncept tërësisht bashkëkohor.

Të lidhura

None found

Pas largimit nga Kantrida në vitin 2015 dhe zhvendosjes në Rujevica, klubi synon të rikthehet në impiantin ku ka zhvilluar ndeshjet për dekada.

Sipas projektit, stadiumi do të ketë një strukturë në formë guaske, të përshtatur me terrenin dhe të orientuar nga deti. Fillimisht parashikohet një kapacitet nga 12 deri në 15 mijë vende, ndërsa më vonë ai mund të zgjerohet në pak më pak se 20 mijë ulëse.

Kantrida e re nuk do të shërbejë vetëm si fushë futbolli. Impianti është konceptuar si një hapësirë shumëfunksionale për koncerte, ekspozita dhe aktivitete të tjera.

Pranë stadiumit planifikohet gjithashtu ndërtimi i një hoteli me 150 deri në 200 dhoma. Presidenti i Rijekës, Damir Miskovic, synon të mbulojë i vetëm financimin e projektit dhe më pas t’ia kalojë stadiumin qytetit, ndërsa klubi do ta shfrytëzojë përmes një marrëveshjeje.

Në rast se realizohet sipas planit, Kantrida e rikonstruktuar mund të bëhet një nga stadiumet më të veçantë në rajon, falë pozicionit të saj spektakolar buzë detit.