Bruno Fernandes, kapiteni i Manchester Unitedit, ndodhet në vitin e fundit të kontratës së tij me klubin. Drejtuesit e “Djajve të Kuq” po përpiqen të gjejnë një zgjidhje që do ta mbajë portugezin në “Old Trafford”, pa përsëritur gabime në negociatat për të ardhmen e tij.
Të lidhura
None found
Gjatë verës, mesfushori u përfol fuqishëm për një largim, ndërsa Galatasaray dhe disa klube të tjera ishin të gatshme të paraqisnin oferta të mëdha për 32-vjeçarin.
Megjithatë, Fernandes vendosi të vazhdonte në Manchester, gjashtë vjet e gjysmë pas transferimit të tij nga Sporting Lisbona. Tashmë, klubi anglez po punon për t’i garantuar një marrëveshje afatgjatë liderit të skuadrës.
Negociatat kanë nisur prej një kohe, përpara se Fernandes të vendoste rekordin për më shumë asistime në një sezon të vetëm të Ligës Premier, me 21 pasime vendimtare.
Pengesë në diskutime mbetet kohëzgjatja dhe struktura e kontratës së re. Fernandes do të mbushë 33 vjeç në shtator të vitit të ardhshëm, ndaj Unitedi duhet të vlerësojë ndikimin që mosha mund të ketë në paraqitjet e tij gjatë viteve që vijnë.
Marrëveshja aktuale e futbollistit skadon në qershor të vitit 2027, ndërsa në të është përfshirë edhe mundësia e zgjatjes për një sezon tjetër, deri në qershor të vitit 2028.
Sipas TEAMtalk, Manchester United dëshiron t’i ofrojë Fernandesit siguri edhe pas kësaj date dhe po shqyrton një kontratë që mund të jetë e vlefshme deri në vitin 2029.
Portugezi është aktualisht futbollisti i dytë më i paguar te Manchester United, pas Marcus Rashfordit. Raportimet sugjerojnë se marrëveshja e re mund të përmbajë një klauzolë të lidhur me numrin e paraqitjeve, e cila do ta zgjaste kontratën në varësi të aktivizimit të tij.
Mosha mbetet një element vendimtar në bisedimet mes palëve. Nëse firmos deri në vitin 2029, Fernandes do të jetë thuajse 35 vjeç, çka e shtyn klubin të sigurohet se investimi do të justifikohet nga niveli që mesfushori mund të ruajë në fazën e fundit të karrierës.
Për këtë arsye, Unitedi po kërkon një formulë që t’i japë kapitenit sigurinë e dëshiruar, por njëkohësisht ta mbrojë klubin nga detyrimet e një kontrate afatgjatë në rast se paraqitjet e tij bien me kalimin e viteve.



