Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha zhvilloi një takim në Przno të Malit të Zi me të Dërguarin e Posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz, gjatë vizitës së këtij të fundit.
Diskutimet trajtuan rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, situatën në Ballkanin Perëndimor dhe nevojën strategjike për më shumë bashkëpunim rajonal, ndërlidhje e siguri.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në rrjetin X, Hoxha vuri në dukje partneritetin e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Francës, të ngritur mbi vlera të përbashkëta evropiane, si dhe përkrahjen franceze për perspektivën evropiane të vendit.
Ai tha se mbështetja e vazhdueshme e Francës për integrimin evropian të Shqipërisë dhe angazhimi i saj për një zgjerim të besueshëm, të mbështetur te meritat, kanë rëndësi strategjike për Shqipërinë, të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe Evropën në tërësi.
Hoxha shtoi se Shqipëria është e vendosur të bashkëpunojë ngushtë me Francën për të fuqizuar perspektivën evropiane të rajonit, për të forcuar stabilitetin e sigurinë dhe për ta afruar Ballkanin Perëndimor me Bashkimin Evropian në mënyrë të vendosur e të pakthyeshme.
