Kosova do të luajë sonte, e enjte, ndaj Izraelit në “Nagyerdei Stadion” të Debrecenit, në Hungari, në takimin e tretë të Grupit B3 të Ligës së Kombeve.
Të lidhura
None found
Përballja nis në orën 20:45 dhe përfaqësuesja dardane synon të marrë një rezultat pozitiv në këtë duel të rëndësishëm.
Franco Foda pritet të bëjë disa lëvizje në formacionin titullar, ndërsa skema e planifikuar besohet të jetë 3-4-3. Ndryshimet më të mëdha parashikohen në repartin ofensiv.
Amir Saipi pritet të jetë titullar mes shtyllave, pasi Arijanet Murici, i cili u dëmtua ndaj Austrisë, ende nuk është rikuperuar plotësisht. Për këtë arsye, portieri i Sassuolos pritet të mungojë.
Lumbardh Dellova, Ilir Krasniqi dhe Ron Raci pritet ta përbëjnë sërish vijën e mbrojtjes, njësoj si në ndeshjen me Austrinë. Foda duket se kërkon të ruajë vazhdimësinë dhe stabilitetin në prapavijë.
Mesfusha pritet të formohet nga Dion Gallapeni, Veldin Hoxha, Leon Avdullahu dhe Mërgim Vojvoda. Hoxha e Avdullahu do të veprojnë në qendër, ndërsa Gallapeni dhe Vojvoda pritet të mbulojnë krahët dhe të ndihmojnë si në fazën sulmuese, ashtu edhe në atë mbrojtëse.
Në sulm, trajneri pritet të bëjë një ndryshim të plotë krahasuar me sfidën e fundit ndaj Austrisë. Vedat Muriqi, Ermal Krasniqi dhe Baton Zabërgja mund të mbeten jashtë formacionit titullar.
Treshja ofensive pritet të përbëhet nga Milot Rashica, Fisnik Asllani dhe Edon Zhegrova. Asllani do të luante në qendër, ndërsa Rashica dhe Zhegrova do të aktivizoheshin në krahë.
Megjithatë, një dilemë mbetet mes Milot Rashicës dhe Vedat Muriqit. Nëse sulmuesi prizrenas përfshihet në formacion, Fisnik Asllani do të zhvendosej në krahun e majtë të sulmit.
