Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se ulja e të ardhurave nga akcizat dhe tatimi mbi vlerën e shtuar mund të çojë në një ribalancim të dytë të buxhetit brenda këtij viti.
Të lidhura
None found
Parashikimet e qeverisë tregojnë se deri në fund të vitit mund të krijohet një mungesë prej 6 deri në 7 miliardë denarësh, shumë kjo që përllogaritet në rreth 97 deri në 113 milionë euro. Sipas Mickoskit, rënia e të hyrave është pasojë e masave të ndërmarra për uljen e akcizave dhe TVSH-së, me synim lehtësimin e ndikimit të shtrenjtimit të naftës.
“Presim që deri në fund të vitit të na mungojnë 6-7 miliardë denarë nga ajo që planifikuam, dhe për këtë arsye është e mundur që deri në fund të vitit të kemi një ribalancim tjetër”, u shpreh Mickoski, duke iu përgjigjur gazetarëve gjatë promovimit të konviktit studentor të rinovuar “Stiv Naumov” në Shkup.
Duke folur për inflacionin, kryeministri tha se në vend nuk është shënuar ndonjë ndryshim i madh në trendin e tij. Ai shtoi se gjatë dy muajve të fundit niveli i inflacionit ka qenë më i ulët se mesatarja evropiane./Telegrafi/
