Rama shpalos paketën e re të garancive procedurale: rregulla për përgjimet, telefonat dhe publikimin e dosjeve, pa u zbutur lufta ndaj krimit e korrupsionit

Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama, prezantoi sot ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale, të cilat bëjnë pjesë në Paketën e Re të Garancive Procedurale.

Kjo paketë përfshin rreth një të pestën e Kodit dhe përmban 105 nene.

Të lidhura

None found

Në përgatitjen e saj kanë marrë pjesë 19 akademikë dhe magjistratë nga Italia, Franca dhe Holanda, krahas ekspertëve të Këshillit të Europës, me mbështetjen e ministrive të Drejtësisë të Italisë dhe Francës.

Sekretariati teknik shqiptar ka bërë koordinimin e gjithë punës.

Sipas ndryshimeve të paraqitura nga kryeministri, për veprat penale me dënim maksimal nën 5 vjet nuk do të vendoset arrest në burg. Po ashtu, prokurori do të ketë detyrimin të hetojë edhe rrethanat që e shfajësojnë ose e favorizojnë personin.

Ndryshimet prekin edhe kontrollin e telefonave dhe përgjimet. Policia dhe prokuroria mund të sekuestrojnë një pajisje, por hapja, kopjimi ose përpunimi i përmbajtjes së saj do të kërkojë autorizim paraprak nga gjykata. Për përgjimet parashikohet që të transkriptohen vetëm komunikimet që lidhen me hetimin.

Paketa vendos gjithashtu rregulla për prezumimin e pafajësisë dhe publikimin e materialeve hetimore, përfshirë kufizime për publikimin e përgjimeve dhe të disa të dhënave të caktuara. Sipas Ramës, përgjegjësia për nxjerrjen e sekretit nuk do të bjerë mbi median, por mbi personin që ka detyrimin ligjor ta ruajë atë.

Kryeministri theksoi se këto ndryshime nuk i heqin prokurorisë kompetencat për të përgjuar, kontrolluar, sekuestruar, hetuar pasurinë apo bashkëpunuar ndërkombëtarisht, por ndryshojnë mënyrën e ushtrimit të këtyre kompetencave dhe forcojnë kontrollin e gjykatës mbi to.

Ai shtoi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk zbutet, ndërsa për korrupsionin, krimin e organizuar, terrorizmin, trafiqet, krimet me armë ose dhunë të rëndë dhe çështjet e Gjykatës së Posaçme ruhen regjime të veçanta.

Gjatë fjalës së tij, Rama kujtoi se dhjetë vjet më parë, në vitin 2016, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet kushtetuese që çliruan drejtësinë nga pushteti politik, pas një varësie që kishte zgjatur që nga themelimi i shtetit shqiptar në vitin 1912.

Reforma në Drejtësi rrëzoi strukturën e vjetër gjyqësore dhe krijoi institucione të reja për vetëqeverisjen e gjyqësorit, një superstrukturë të posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, paga më të larta për magjistratët dhe procesin e Vetingut.

Sipas tij, pas dhjetë vjetësh janë parë rezultate që më parë as nuk imagjinoheshin, por edhe dështime e deformime. Megjithatë, reforma, tha ai, shembi kultin njëqindvjeçar të pandëshkueshmërisë.

Kryeministri shpjegoi se tani synohet t’i jepet më shumë ekuilibër peshores së drejtësisë, në mënyrë që pushteti gjyqësor të mos vendosë veten mbi drejtësinë, por drejtësia të jetë fuqia e barazisë së të gjithëve para ligjit. Kjo është thelbi i paketës së quajtur nga bashkautorët “Paketa e Garancive Proceduriale”.

Rama theksoi se pas miratimit të Kodit të Procedurës Penale në vitin 1995 dhe ndryshimeve që shoqëruan Reformën në Drejtësi, kjo është ndërhyrja e parë kaq e plotë dhe organike në prezumimin e pafajësisë.

Deri tani, sipas tij, ishte forcuar kryesisht krahu i shtetit ndaj njeriut, ndërsa tani po i jepet peshë edhe krahut të të drejtave të njeriut përballë shtetit.

Nisma u nxit nga alarmi i Komitetit Europian për Parandalimin e Torturës dhe mekanizmave të tjerë europianë e ndërkombëtarë, të cilët treguan se në Shqipëri peshorja e drejtësisë anon dukshëm nga pesha represive e shtetit.

Rama shtoi se edhe sot një model i Inteligjencës Artificiale do të përgjigjej se vendi me barrën më të rëndë të paraburgimit në kontinentin europian është Shqipëria.

Raporti më i fundit i Këshillit të Europës, për gjendjen më 31 janar 2025, tregon se thuajse 62% e njerëzve në burgjet shqiptare janë të paraburgosur, pra mbahen në burg për atë që akuzohen dhe jo për një dënim të marrë.

Mesatarja europiane e të paraburgosurve në të njëjtën datë ishte 26%, që do të thotë se Shqipëria ishte më shumë se dy herë më keq se pjesa tjetër e Europës. Në Greqi ky tregues ishte 24.8%, në Serbi 21.5%, në Maqedoninë e Veriut 14.3%, në Rumani 12.4% dhe në Bullgari 7%.

Kryeministri nënvizoi se ky nuk është një mallkim rajonal, por një problem i rëndë shqiptar, që Kuvendi duhet ta adresojë pa humbur kohë. Ai e cilësoi si sfidë të përbashkët për gjyqësorin dhe ekzekutivin, ku qeveria do të sigurojë mbështetje financiare dhe logjistike.

Duke e krahasuar edhe me Rusinë, Rama tha se atje të paraburgosurit përbëjnë 30% të popullsisë së burgjeve, pra më pak se gjysma e Shqipërisë, e cila negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Ai u bëri thirrje prokurorëve dhe gjykatësve që të mos vazhdohet me shifra të tilla, pas të cilave qëndrojnë jetë njerëzish, drama familjesh, trauma fëmijësh dhe pasoja ndonjëherë të pariparueshme. Sipas tij, kjo politikë penale ka ndikim negativ edhe mbi shoqërinë.

Në juridiksionin e përgjithshëm, qëndrimi mesatar në paraburgim në Shqipëri arrin në 253 ditë, kundrejt rreth 155 ditëve në vendet e Bashkimit Europian. Ndërsa në Gjykatën e Posaçme kjo kohë ngjitet në 616 ditë, ose më shumë se një vit e tetë muaj, krahasuar me mesataren pesë mujore të Europës.

Rama kujtoi se qysh në vitin 2006, dhjetë vjet përpara Reformës në Drejtësi, një studim i Prezencës së OSBE-së në Tiranë konstatoi se 41% e të paraburgosurve nuk e kishin takuar mbrojtësin para seancës ku u vendos për heqjen e lirisë, ndërsa 59% e avokatëve nuk kishin qenë të pranishëm në marrjen e parë në pyetje nga prokuroria.

Fakti që kjo e keqe është e hershme, sipas tij, i bën të dhënat edhe më të rënda, sepse tregon një kulturë të vjetër varësie të drejtësisë ndaj kultit të forcës dhe jo një pasojë të re të pavarësisë së gjyqësorit.

Paraburgimi, i cili sipas Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut duhet të jetë masa e fundit, në Shqipëri është qendra e gravitetit të procesit penal. Komiteti Europian për Parandalimin e Torturës, Kombet e Bashkuara, Këshilli i Europës dhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut kanë nënvizuar se paraburgimi kërkohet rëndom me formula të gatshme dhe vendoset duke përsëritur arsyetimin e prokurorit, pa analizë reale të profilit të personit apo të mundësisë për masa më të buta.

Rama tha se Gjykata e Strasburgut ka konstatuar mungesë të pajustifikueshme të shqyrtimit real për vazhdimin e masave shtrënguese në një sërë çështjesh kundër Shqipërisë. Prandaj, kjo paketë është një përgjigje konkrete ndaj një problemi real e lëndues, i lidhur drejtpërdrejt me kapitullin 23 të negociatave me Bashkimin Europian.

Kryeministri vlerësoi rolin e drejtorit të Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Shtetin e së Drejtës në Këshillin e Europës, Gianluca Esposito, si dhe kontributin e qeverive të Italisë dhe Francës. Ai tha se angazhimi i tyre solli ekspertizë të klasit të parë dhe thellësi krahasuese.

Paketa prek rreth një të pestën e Kodit dhe mbështetet në një parim përcaktues: çdo ushtrim i pushtetit në procesin penal duhet të ketë bazë të qartë në ligj, të jetë proporcional me qëllimin, t’i nënshtrohet kontrollit përmbajtësor dhe jo formal të gjykatës dhe të prodhojë pasoja juridike kur i kalon kufijtë.

Rama tregoi edhe episodin me profesoreshën franceze Raphaële Parizot, e cila vuri re se Kodi shqiptar fillon me arrestin në burg dhe pastaj zbret tek masat më të lehta. Sipas saj, kjo renditje e mëson sistemin të mendojë gjithmonë burgun si zgjidhjen e parë.

Pikërisht kësaj logjike i kundërvihet paketa e re, tha Rama. Gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të vlerësojë arrestin në shtëpi dhe të arrijë te burgu vetëm kur çdo alternativë tjetër është e pamjaftueshme.

Për veprat me dënim maksimal deri në tre vjet, si rregull nuk do të caktohen masa shtrënguese, ndërsa për veprat me dënim maksimal nën pesë vjet nuk do të vendoset arrest në burg. Natyra e rëndë e veprës, e marrë më vete, nuk do të mjaftojë më. Heshtja e personit ose mospranimi i akuzës nuk mund të përdoren si provë rrezikshmërie. Rreziku duhet të jetë konkret, aktual dhe i mbështetur në fakte që lidhen me personin.

Gjykata duhet të bëjë vlerësim të pavarur dhe nëse kopjon argumentet e prokurorit pa arsyetuar pse masat më të buta nuk mjaftojnë, vendimi është i pavlefshëm dhe lind përgjegjësi disiplinore për gjykatësin.

Kur caktohet arresti, gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore, të llogaritur sipas gjendjes reale financiare të personit, me përjashtimet e nevojshme për rrezikun ndaj provës, krimet e rënda me dhunë, terrorizmin, veprat kundër rendit kushtetues dhe çështjet e Gjykatës së Posaçme.

Prokurori do të jetë i detyruar t’i raportojë çdo muaj gjykatës nëse arsyet e masës vazhdojnë të ekzistojnë dhe t’i argumentojë ato. Liria nuk mund të kufizohet një herë e pastaj të harrohet.

Paketa forcon edhe mbrojtjen e personave në gjendje të cenueshme. Nënat me fëmijë deri në gjashtë vjeç, babai ose kujdestari kur nëna nuk jeton ose nuk është në gjendje të kujdeset, personat mbi 70 vjeç, të sëmurët rëndë dhe personat në programe terapeutike nuk mund të trajtohen sikur rrethanat e tyre njerëzore të mos ekzistojnë.

Një tjetër ndryshim i madh vendos barazi reale midis mbrojtjes dhe akuzës. Avokati nuk mund të jetë dekor në sallë dhe spektator gjatë hetimit. Ai duhet të ketë të drejtë të kryejë hetime të veta, të marrë deklarime, të kërkojë dokumente, të kryejë verifikime teknike dhe të angazhojë ekspertë.

Materialet e mbledhura nga mbrojtja do t’i paraqiten drejtpërdrejt gjyqtarit dhe do të vlerësohen sipas të njëjtave kritere ligjshmërie dhe rëndësie si materialet e prokurorisë. Personi do të ketë akses të pakushtëzuar te provat mbi të cilat i është hequr liria dhe do të marrë pa pagesë dosjen e plotë përpara se çështja të dërgohet në gjyq.

Prokurori do të ketë detyrimin e shprehur të hetojë edhe rrethanat që e shfajësojnë ose e favorizojnë personin, sepse misioni i tij në një shtet demokratik është të zbulojë të vërtetën, jo të gjejë patjetër një fajtor.

Ndryshimi i tretë mbyll një zonë gri të marrjes në pyetje. Një person nuk mund të thirret si person në dijeni dhe të trajtohet në fakt si i dyshuar, pa avokat dhe pa garanci. Kushdo që thirret në Prokurori ose në Polici, edhe si person në dijeni, do ta ketë të shkruar në fletën e thirrjes të drejtën për t’u paraqitur me avokat.

Kur dyshimi ndaj tij ka ekzistuar që në momentin e pyetjes, deklarimet e marra nën një status tjetër nuk mund të përdoren më tej kundër tij. Marrja në pyetje dhe veprimet kryesore hetimore do të regjistrohen detyrimisht me zë dhe me figurë, duke hequr nga Kodi justifikimin “kur është e mundur”.

Për herë të parë shkruhet qartë se deklarimet ose informacionet e marra nën torturë, me trajtim çnjerëzor apo sjellje degraduese janë absolutisht të papërdorshme, sepse një shtet që kërkon të vërtetën nuk mund ta prodhojë atë me dhunë apo presion verbal.

Ndryshimi i katërt mbron jetën private në epokën e telefonit inteligjent. Telefoni nuk është më thjesht një mjet komunikimi, por arkiv i jetës së njeriut, me komunikime, fotografi, lëvizje, financa dhe marrëdhënie. Sekuestrimi i pajisjes nuk mund të jetë një leje e pakufishme për të lexuar e parë gjithçka që ajo përmban.

Policia dhe prokuroria mund ta sekuestrojnë pajisjen, por për ta hapur, kopjuar ose përpunuar përmbajtjen duhet autorizim paraprak i gjykatës. Vendimi i gjykatës duhet të përcaktojë pajisjen, kategoritë e të dhënave, aplikacionet, periudhën dhe kriteret e kërkimit. Në rastet e urgjencës, të përcaktuara ngushtësisht nga ligji, veprimi duhet të vleftësohet nga gjykata brenda 48 orëve. Çdo e dhënë e marrë jashtë autorizimit është e papërdorshme, ndërsa materiali pa lidhje me hetimin duhet të asgjësohet.

E njëjta logjikë zbatohet edhe për përgjimet. Duhet të transkriptohen vetëm komunikimet që lidhen me hetimin, përfshirë ato që janë në favor të personit. Jeta private e njerëzve pa lidhje me veprën penale nuk mund të kthehet në material të përdorshëm, instrument presioni apo produkt konsumi mediatik.

Marrja e mostrave biologjike dhe ruajtja e profileve gjenetike rregullohen për herë të parë në mënyrë të plotë, me pëlqim të informuar ose vendim gjykate, me praninë e mbrojtësit dhe me asgjësim të detyrueshëm pas pafajësisë së formës së prerë.

Ndryshimi i pestë i jep hetimit një fillim të verifikueshëm, një objekt të qartë dhe një fund. Procedimi duhet të regjistrohet në ditën kur prokurori merr dijeni për veprën, jo kur e çmon ai të përshtatshme. Personi ka të drejtë të dijë se ndaj tij është regjistruar një procedim dhe t’i kërkojë gjykatës verifikimin e datës. Nëse gjatë hetimit del një vepër tjetër, ajo duhet të regjistrohet si e tillë.

Hetimet e fshehura në kohë, të mbajtura në sirtar për vite dhe të përdorura si hije mbi kokën e dikujt, nuk mund të jenë rutinë në një shtet të së drejtës. Në gjyq do të shkojnë çështjet që kanë një perspektivë reale. Kriteri i sotëm i “provave të mjaftueshme” zëvendësohet me standardin e “pritshmërisë së arsyeshme për dënim”. Prokurori duhet të peshojë provat e akuzës dhe të mbrojtjes dhe të tregojë pse çështja ka gjasa reale të përfundojë me dënim.

Ndryshimi i gjashtë e nxjerr prezumimin e pafajësisë jashtë sallës së gjyqit dhe e bën standard sjelljeje për institucionet. Do të ndalohet publikimi i përmbajtjes së përgjimeve jashtë pjesës që citohet në arsyetimin e një vendimi, i të dhënave identifikuese të viktimave pa pëlqimin e tyre, i pamjeve të personave nën masa shtrëngimi fizik dhe i vendimeve për masat e sigurimit përtej kufijve të ligjit.

Prokurori, oficeri, avokati apo profesionisti që ka detyrimin ta ruajë sekretin dhe e shkel atë, do të mbajë përgjegjësi. Kjo normë nuk synon polici mendimi ndaj medias, sepse përgjegjësia nuk bie kurrë mbi median, por mbi atë që ka detyrimin ligjor ta ruajë sekretin dhe e nxjerr nga dosja. Edhe gjuha e akteve zyrtare duhet të respektojë pafajësinë; askush nuk mund të paraqitet si fajtor përpara një vendimi të formës së prerë.

Paketa forcon njëkohësisht mbrojtjen e viktimës. Për dhunën në familje dhe krimet seksuale krijohen masa të reja, si largimi i të pandehurit nga banesa dhe ndalimi i afrimit ose kontaktit, me distancë jo më pak se një mijë metra dhe me mundësi mbikëqyrjeje elektronike. Kur largimi e lë familjen pa mjete jetese, gjykata mund të caktojë një pagesë periodike në favor të saj.

Mbrohet identiteti i viktimës dhe forcohen mjetet e saj për të marrë pjesë në proces. Vendimet në dhomë këshillimi që prekin lirinë dhe të drejtat nuk mund të merren më përmes një procedure të padukshme; palët duhet të njoftohen, të paraqesin argumentet dhe të dëgjohen. Me kërkesën e të pandehurit ose viktimës dhe me autorizimin e gjykatës, seanca mund të transmetohet drejtpërdrejt, duke mbrojtur të drejtat e të tretëve dhe viktimave.

Sipas Ramës, risia më e rëndësishme e paketës është se shkelja e të drejtave ka pasoja. Prova e marrë në shkelje të ligjit nuk mund të përdoret, akti i kryer duke cënuar garancitë humbet vlerën juridike dhe gjykata mund ta konstatojë shkeljen edhe vetë, pa pritur kërkesën e palës. Krahas pavlefshmërisë absolute dhe relative, krijohet një regjim i ndërmjetëm për shkeljet serioze të së drejtës për t’u dëgjuar, për të ndërhyrë dhe për të paraqitur prova.

Përgjegjësia nuk mund të mbetet pa emër. Gjyqtari që kufizon lirinë pa arsyetim të vetin, prokurori ose oficeri që përhap informacionin e mbrojtur, punonjësi që nuk regjistron marrjen në pyetje dhe oficeri që abuzon me flagrancën ose urgjencën duhet të përgjigjen personalisht. Shkelja mbetet shkelje edhe nëse në fund personi dënohet.

Rama sqaroi se paketa nuk prek asnjë shtyllë të Reformës në Drejtësi dhe nuk i heq prokurorisë asnjë kompetencë për të përgjuar, kontrolluar, sekuestruar, hetuar pasurinë apo bashkëpunuar ndërkombëtarisht. Ajo ndryshon mënyrën e ushtrimit të këtyre kompetencave dhe forcon kontrollin e gjykatës mbi to.

Për korrupsionin, krimin e organizuar, terrorizmin, trafiqet, krimet me armë ose dhunë të rëndë dhe çështjet e Gjykatës së Posaçme ruhen regjime të posaçme. Kjo është zgjedhje e vetëdijshme, sepse lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk duhet të zbutet assesi.

Paketa nuk rihap çështje të mbyllura. Aktet dhe provat e marra ligjërisht përpara hyrjes së saj në fuqi mbeten të vlefshme. Rishikimi brenda gjashtëdhjetë ditëve i masave të sigurimit që janë në fuqi nuk është amnisti, por kontroll individual nga e njëjta gjykatë, rast pas rasti, me të drejtë ankimi për palët.

Kryeministri theksoi se pavarësia e drejtësisë nuk është imunitet nga ligji dhe kontrolli procedural nuk është ndërhyrje politike. Sa më e pavarur të jetë drejtësia, aq më e lartë duhet të jetë cilësia e arsyetimit dhe respektimi i kufijve që vendos ligji.

Ai shtoi se Këshilli i Europës ka vënë në dukje se zbatimi i garancive do të bjerë mbi një gjyqësor, prokurori dhe polici gjyqësore me kufizime në njerëz, pajisje dhe ekspertizë. Regjistrimi me zë e figurë, kontrolli i provës dixhitale, mbikëqyrja elektronike dhe ruajtja e të dhënave kërkojnë infrastrukturë, financim dhe trajnim. Prandaj ligji do të ketë një periudhë të arsyeshme para fillimit të efekteve, me trajnime dhe akte zbatuese.

Rama e cilësoi sfidë për dinjitet kombëtar faktin që Shqipëria figuron si “delja e zezë” e Europës në këtë tregues dhe tha se ekzekutivi do të vërë në dispozicion gjithçka që kërkohet që garancitë të ekzistojnë në jetën e qytetarit, jo vetëm në faqet e Fletës Zyrtare.

Në mbyllje, ai theksoi se Bashkimi Europian është standardi me të cilin sillet shteti kur përballë ka një njeri të vetëm, në komisariat, prokurori apo sallë gjyqi. Reforma në Drejtësi i dha Shqipërisë një drejtësi që nuk ka frikë nga fajtori, ndërsa kjo paketë synon që drejtësia të mos frikësojë të pafajshmin.

Në vitin 2016 nisi fundi i kulturës së pandëshkueshmërisë, ndërsa në vitin 2026 duhet të nisë fundi i kulturës së paraburgimit si përgjigje automatike, i hetimit pa afat dhe i procesit ku qytetari hyn si i pabarabartë. Sipas tij, forca e shtetit nuk duket nga lehtësia me të cilën vendos prangat, por nga rreptësia me të cilën arsyeton çdo orë lirie që i merr njeriut.

Rama përsëriti se një drejtësi që thotë “më mirë një fajtor jashtë se sa një i pafajshëm brenda” nuk është më e dobët, por më e fortë, më e drejtë, më e besueshme dhe më europiane.

Në fund, ai falënderoi bashkautorët e paketës, Këshillin e Europës, Gianluca Espositon, ministritë e Drejtësisë të Italisë e Francës, Ministrinë shqiptare të Drejtësisë dhe juristët e sekretariatit teknik. Veçoi drejtuesen e sekretariatit, Etilda Gjonajn, për profesionalizmin, përvojën dhe disiplinën e saj të punës, e cila garantoi suksesin e bashkëpunimit me 19 akademikë e magjistratë të huaj. Tani, tha ai, është radha që kjo punë të kthehet në ligj dhe ligji në garanci të përditshme për qytetarin.


Shtuar më 30.09.2026 15:02

sultanbeyli escortMarsbahispusulabetjojobetjojobetcasibomMarsbahisCasino welcome bonusjojobetcasibomjojobetmarsbahismarsbahis güncel girişcasinoroyalmadridbetmadridbet girişmadridbetjojobetholiganbet girişjojobetbetparkbahsegelbahsegeljojobetmarsbahisfixbetfixbet girişjojobet giriş