Miha Oxhaklieski dha sot dorëheqje të parevokueshme nga posti i drejtorit të Institucionit Kombëtar Muzeu Historik – Krushevë. Ai e cilësoi vendimin si një akt personal, moral dhe etik, që pasqyron përgjegjësinë e tij ndaj institucionit dhe publikut.
Të lidhura
None found
Vendimi pason reagimet publike për xhirimin e videoklipit “Sexy Mama” të reperit kosovar Don Xhoni brenda monumentit “Makedonium” në Krushevë, një objekt i mbrojtur i trashëgimisë kulturore të shtetit.
Në dorëheqjen e tij, Oxhaklieski shprehet se në këtë rast nuk është shkelur asnjë ligj, rregullore apo akt tjetër. Sipas tij, nuk është vepruar as në kundërshtim me ndonjë vendim të Bordit Drejtues të institucionit, ndërsa procedura e ndjekur ishte pjesë e një praktike të vendosur dhe të zbatuar edhe më parë aty.
Ai thekson, megjithatë, se përgjegjësia e drejtuesit të një institucioni publik shkon përtej zbatimit të rregullave ligjore. Sipas tij, ky rol kërkon standarde të larta morale dhe etike, sidomos kur lidhet me besimin e publikut.
Oxhaklieski i kërkoi falje publikut për paqartësinë e krijuar dhe për lëshimin e paqëllimshëm. Ai tha se këtë kërkesë e bën në shenjë respekti për qytetarët dhe për institucionin të cilit i ka shërbyer.
Sa i përket përgjegjësisë ligjore, ai deklaron se largohet me ndërgjegje të pastër, por edhe me vetëdije të plotë për përgjegjësinë morale që mbart drejtimi i një institucioni publik.
