Aston Martin po përgatit një variant të ri të Valhalla-s, i cili mund të jetë edhe më i rrallë se modeli Coupe, prodhimi i të cilit është kufizuar në vetëm 999 njësi në mbarë botën.
Të lidhura
None found
Sipas raportimeve, Valhalla Spider mund të prezantohet në muajin nëntor dhe numri i automjeteve të prodhuara pritet të jetë më i ulët se ai i versionit me karroceri Coupe.
Modeli aktual renditet për nga performanca mes Lamborghini Revuelto dhe hipermakinave dukshëm më të kushtueshme, përfshirë Ferrari F80 dhe McLaren W1.
The Supercar Blog shkruan se versioni i hapur do të pajiset me një çati “targa”, e cila mund të hiqet, në vend të një sistemi me çati të fortë apo të butë që paloset.
Kjo zgjidhje lidhet edhe me kufizimet e hapësirës, pasi Valhalla nuk ofron vend për ruajtjen e mekanizmave të çative palosëse. Për këtë arsye, çatia “targa”, që pronari mund ta largojë dhe ta vendosë mënjanë, konsiderohet alternativa e vetme e zbatueshme.
Pavarësisht ndryshimit në karroceri, sistemi i fuqisë pritet të mbetet i pandryshuar krahasuar me Valhalla Coupe.
Spider-i do të vazhdojë të përdorë motorin V8 4.0-litërsh “twin-turbo” të Mercedes-AMG, të kombinuar me tre motorë elektrikë: dy në pjesën e përparme dhe një në pjesën e pasme.
Konfigurimi hibrid pritet të prodhojë të njëjtën fuqi si Coupe, konkretisht 1,064 kuaj-fuqi dhe 1,100 Nm çift rrotullues.
Motori AMG do të jetë i lidhur me një transmision me tetë shpejtësi, ndërsa fuqia do të shpërndahet në të katërta rrotat.
Valhalla standarde peshon 1,655 kg. Edhe pse versioni Spider mund të jetë disi më i rëndë, ai nuk pritet të tejkalojë 1,700 kg, falë përdorimit të fibrës së karbonit në strukturën e automjetit. /Telegrafi/
