Flukset financiare të dërguara nga diaspora drejt Kosovës vijojnë të shënojnë rritje.
Të lidhura
None found
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, remitencat arritën vlerën prej 828 milionë eurosh, ose 5.5% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas BQK-së, kjo rritje mund të lidhet me ruajtjen e lidhjeve ekonomike dhe familjare të diasporës me Kosovën, përmirësimin e të ardhurave dhe kushteve ekonomike të emigrantëve në vendet ku jetojnë e punojnë, si dhe vazhdimin e mbështetjes financiare për familjet në Kosovë. Në këtë zhvillim, sipas bankës, ndikon edhe zgjerimi gradual i diasporës ndër vite, i cili ka rritur numrin e personave që dërgojnë para në vend.
Ekspertët vlerësojnë se pjesa kryesore e remitencave përdoret për shpenzime të përditshme, ndërsa rekomandojnë që një pjesë më e madhe e tyre të drejtohet drejt investimeve.
Ekonomisti Fidan Qerimi tha se paratë e diasporës duhet të orientohen, për shembull, në sektorin e prodhimit. Sipas tij, një veprim i tillë do të krijonte një ekonomi qarkore, duke nxitur konsumin dhe prodhimin vendas, zvogëluar importet dhe mundësuar zhvillimin e bizneseve që do të mund të shfrytëzonin lidhjet me diasporën për të eksportuar produktet jashtë vendit.
Qerimi theksoi se një politikë e tillë do të ndikonte në rritjen e eksporteve të Kosovës, veçanërisht duke pasur parasysh bilancin shumë të pafavorshëm tregtar të vendit dhe faktin se mbulueshmëria e importeve është më pak se 15%.
Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë tha se kjo organizatë prej kohësh kërkon që remitencat të kanalizohen në mënyrë më të strukturuar drejt zhvillimit ekonomik.
Megjithatë, ai vlerësoi se asnjë nga qeveritë e Kosovës deri më tani nuk ka treguar gatishmëri për të hartuar një politikë adekuate që do t’u jepte këtyre mjeteve një destinim të qartë.
Sipas Ahmetit, orientimi i remitencave drejt rritjes ekonomike do të ndihmonte edhe në shtimin e punësimit dhe do ta lehtësonte barrën e mërgimtarëve për mbështetjen e familjarëve të tyre në Kosovë, duke marrë parasysh rolin e madh që ata kanë në këtë drejtim.
Të dhënat e BQK-së tregojnë se Gjermania është burimi kryesor i remitencave, me rreth 39% të totalit të parave të pranuara në Kosovë.
Zvicra renditet e dyta, me 17% të remitencave, ndërsa pas saj vijnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austria, Italia, Belgjika, Franca dhe Suedia.
