Policia e Kosovës ka mohuar pretendimet e publikuara në rrjetet sociale se qytetarët janë ndaluar ose ndëshkuar për shkak të flamujve të UÇK-së.
Të lidhura
None found
Sipas institucionit policor, asnjë qytetar nuk është ndaluar, ndëshkuar apo dhunuar për përdorimin e simboleve historike kombëtare ose të UÇK-së. Masat, thuhet në njoftim, janë ndërmarrë vetëm për shkak të shkeljeve të ligjit.
Policia bëri të ditur se ka vënë në dispozicion kapacitetet e saj për të garantuar sigurinë gjatë protestës së paralajmëruar për sonte në orën 21:00 në sheshin qendror të Prishtinës, si dhe për menaxhimin e qarkullimit rrugor.
Pas përfundimit të protestave të qeta në kryeqytet, disa pjesëmarrës kanë vijuar lëvizjen me automjete nëpër rrugët e Prishtinës. Policia tha se në disa raste janë konstatuar vozitje të pakontrolluara dhe të rrezikshme.
Gjithashtu, disa persona kanë qëndruar në dritaret e automjeteve ose mbi vetura gjatë kohës që ato ishin në lëvizje, duke vënë në rrezik veten, pjesëmarrësit e tjerë në trafik dhe këmbësorët.
“Ndërhyrjet e zyrtarëve policorë në terren kanë pasur vetëm qëllim parandalimin e ngasjes së rrezikshme dhe të pakontrolluar të disa automjeteve pas protestave”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Institucioni theksoi se angazhimi i tij synon zhvillimin e protestës në mënyrë të qetë dhe të sigurt, mbrojtjen e qytetarëve, rregullimin e trafikut dhe parandalimin e sjelljeve të rrezikshme gjatë vozitjes.
