Giuseppe Cavo Dragone, shefi ushtarak i NATO-s, deklaroi se Aleanca është gati të përballet me skenarë të ndryshëm, përfshirë edhe mundësinë e një sulmi të drejtpërdrejtë kundër një vendi anëtar.
Të lidhura
None found
Sa u përket kërcënimeve hibride, Cavo Dragone shpjegoi se veprime të tilla përgjithësisht zhvillohen nën nivelin që do të kërkonte automatikisht aktivizimin e Nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Ndryshe nga këto kërcënime, sipas tij, një goditje e drejtpërdrejtë do të krijonte një rrethanë tërësisht tjetër, duke vendosur menjëherë në rendin e ditës Nenin 5, ku sanksionohet parimi i mbrojtjes kolektive të Aleancës.
Ai bëri të ditur se NATO ka përgatitur rreth 4 mijë faqe planesh për mbrojtjen e krahut lindor. Dokumentet parashikojnë situata që nisin nga krizat dhe ndërhyrjet brenda territorit të shteteve anëtare, deri te skenarët ku do të nevojitej aktivizimi i Nenit 5.
“NATO është e përgatitur, ashtu si edhe struktura e saj. Trupat, armatimet dhe sistemi janë gati”, u shpreh Cavo Dragone.
Shefi ushtarak i Aleancës nënvizoi edhe rolin e parandalimit, duke paralajmëruar se, nëse do të ndërmerrnin një sulm, kundërshtarët e NATO-s do të kishin “shumë më tepër për të humbur sesa për të fituar”.
Në vlerësimin e tij, një nga shtyllat kryesore të strategjisë parandaluese është pikërisht kapaciteti i NATO-s për të reaguar dhe për të garantuar mbrojtjen e vendeve të saj anëtare.
