Të dhënat e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, PISA 2025, sinjalizojnë një përkeqësim shqetësues të rezultateve në disa prej sistemeve arsimore më të njohura europiane. Ky vlerësim teston aftësinë e 15-vjeçarëve për t’i përdorur njohuritë në lexim, matematikë dhe shkenca në rrethana të jetës së përditshme.
Të lidhura
None found
Sipas The Guardian, Franca, Gjermania dhe Holanda kanë regjistruar rezultatet më të ulëta të shënuara ndonjëherë. Një rënie e fortë është vërejtur gjithashtu në Finlandë, e cila prej dekadash vlerësohet si një nga modelet më të suksesshme arsimore në botë. Mbretëria e Bashkuar, ndërkaq, ka arritur ta shmangë në pjesën më të madhe këtë prirje.
Në Francë, Gjermani, Holandë dhe Finlandë, të dhënat tregojnë se afërsisht një në tre nxënës 15-vjeçarë nuk arrin nivelin bazë të aftësive funksionale në matematikë dhe lexim. Ekspertët vlerësojnë se pandemia dhe mangësitë në procesin e të nxënit gjatë asaj periudhe e përshpejtuan përkeqësimin, megjithëse shkaqet e problemit janë më të hershme dhe më të thella.
Në listën e faktorëve përfshihen mungesa e vazhdueshme e mësuesve, rishikimet e shpeshta të kurrikulave që kanë anashkaluar aftësitë themelore, pabarazitë shoqërore dhe ndarja në rritje e nxënësve mbi bazën e prejardhjes socio-ekonomike. Shqetësim përbën edhe përdorimi i tepruar i telefonave inteligjentë dhe rrjeteve sociale, i cili, sipas ekspertëve, ka dobësuar përqendrimin dhe ka bërë që leximi i thelluar të zëvendësohet nga përvetësimi i shpejtë i materialeve në ekran. Paralelisht, është ulur ndjeshëm edhe motivimi i nxënësve për të mësuar.
