Diego Simeone ka shprehur respekt të madh për Jose Mourinhon në prag të derbit të Madridit, i cili do të luhet nesër (e diel).
Të lidhura
None found
Edhe pse dikur ka qenë rival i trajnerit portugez, tekniku i Atletico Madridit nuk i kurseu fjalët e admirimit, duke nënvizuar vlerësimin e tij të lartë për Mourinhon.
“Duke menduar kaq shumë vite pas… Nuk mund ta gjej përgjigjen për pyetjen tuaj. Kam shumë admirim për Mourinhon. Ai e di se sa shumë e vlerësoj”, deklaroi Simeone, pasi u pyet se si kishte ndryshuar që prej rivalitetit të hershëm me “Special One”.
Trajneri argjentinas foli gjithashtu për motivimin përpara derbit. Sipas tij, kjo ndjenjë ndryshon te secili futbollist, ndërsa rivaliteti mes dy skuadrave është ringjallur fuqishëm gjatë viteve të fundit.
“Ndryshon nga lojtari në lojtar, por nuk mund ta gënjejmë veten… Ekziston një rivalitet që kemi arritur ta ringjallim në vitet e fundit. Siguria është e rëndësishme në këto ndeshje”, u shpreh ai.
Simeone u ndal edhe te lojtarët e rinj dhe presioni që shoqëron një përballje të këtij niveli. Ai sqaroi se nuk parapëlqen të japë shumë këshilla, por zgjedh t’ua përcjellë futbollistëve përvojat e veta.
“Unë nuk jam nga ata që jap këshilla. Megjithatë, i ndaj përvojat e mia. Presioni dhe emocionet e një ndeshjeje si ajo e nesërmja në Metropolitano, me tifozët tanë, janë normale. Mbi të gjitha, qëndroni të qetë”, tha Simeone.
Në përmbyllje, trajneri i Atletico Madridit vuri theksin te rëndësia e vetëbesimit. Ai u kërkoi lojtarëve të kenë bindje në punën e tyre, pavarësisht nëse përfundimi do të jetë pozitiv apo negativ.
“Ekziston një fjalë që quhet vetëbesim; nëse je i sigurt në atë që po bën, gjërat mund të shkojnë mirë ose keq, por kjo është rruga e duhur”, përfundoi Simeone.
