Stephanie Ubaldo, 20 vjeçe dhe punonjëse në një çerdhe në Perry të Iowa-s, është vënë në pranga nën akuzën për vrasje të shkallës së parë, pas vdekjes së një foshnjeje.
Të lidhura
None found
Policia e Perry-t bëri të ditur se e reja u arrestua të enjten, më 17 shtator, ndërsa aktualisht po mbahet në burgun e Dallas County.
Rasti nisi më 15 shtator, rreth orës 17:00, pasi shërbimet e emergjencës morën një njoftim për një grua që kishte gjakderdhje vaginale në qendrën e kujdesit për fëmijë Acorns & Oaks Child Care. Gruaja u dërgua në spital.
Më pas, rreth orës 18:22, policia u informua se në një kosh mbeturinash brenda çerdhes mund të ishte vendosur një foshnjë e lindur para kohe. Afro 10 minuta pas njoftimit, efektivët zbuluan trupin e pajetë të foshnjës brenda një qeseje plehrash.
Në dokumentet e gjykatës thuhet se foshnja ishte vajzë, e zhvilluar plotësisht dhe me kordonin e kërthizës ende të lidhur. Gjithashtu raportohet se ajo kishte pësuar dëmtime në kokë.
Sipas kallëzimit penal, Ubaldo u deklaroi hetuesve se e kishte sjellë në jetë foshnjën në banjën e çerdhes. Ajo dyshohet se i shkaktoi lëndime në fytyrë, teksa përpiqej ta ndalonte së qari.
Autoritetet sqaruan se foshnja nuk ishte kliente e çerdhes dhe nuk ndodhej nën përkujdesjen e këtij institucioni.
Policia rikujtoi edhe ligjin Safe Haven në Iowa. Ky ligj u mundëson prindërve ose personave të autorizuar që, duke respektuar kushtet e përcaktuara, të dorëzojnë në mënyrë të sigurt në vende të caktuara një foshnjë deri në 90 ditëshe, pa u përballur me ndjekje penale për braktisje.
