Katër vjet nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës dhe ndërprerja e bashkëpunimit energjetik mes Berlinit e Moskës, çështja e rikthimit të gazit natyror rus në Gjermani po rikthehet në skenën politike.
Të lidhura
None found
Burime të cituara nga Reuters bëjnë të ditur se Kirill Dmitriev, zyrtari i ngarkuar nga Kremlini për kontaktet ekonomike të nivelit të lartë, së bashku me drejtues të Alternativës për Gjermaninë (AfD), po shqyrton organizimin e një takimi në mars të vitit 2027.
Dy persona të informuar mbi bisedimet thanë se tema kryesore pritet të jetë mundësia e rikthimit të furnizimeve ruse me energji në ekonominë më të madhe të Evropës.
Një nga çështjet qendrore do të jenë tubacionet Nord Stream. Përpara luftës, ato përfaqësonin lidhjen e ngushtë energjetike mes Gjermanisë dhe Rusisë, ndërsa pas shpërthimeve të shtatorit 2022 u shndërruan në simbol të ndarjes mes Moskës dhe Perëndimit.
Në takimin e propozuar mund të marrin pjesë bashkëkryetarët e AfD-së, Alice Weidel dhe Tino Chrupalla. Ndër vendet e përmendura për zhvillimin e tij janë Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe India.
As AfD-ja dhe as Kirill Dmitriev nuk kanë pranuar të japin koment për këto të dhëna.
Realizimi i takimit lidhet me arritjen paraprake të një kuadri paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës. Sipas burimeve, synimi i organizatorëve është krijimi i një platforme ku të marrin pjesë AfD-ja, Rusia dhe, ndoshta, përfaqësues të Shteteve të Bashkuara.
Përpara pushtimit të Ukrainës në vitin 2022 dhe vendosjes së sanksioneve, Rusia mbulonte mbi një të tretën e importeve gjermane të naftës bruto dhe më shumë se gjysmën e importeve të gazit natyror.
Ndërprerja e furnizimeve ruse goditi rëndë ekonominë gjermane. Ndërsa dëmtimi i Nord Stream në shtator 2022 i dha praktikisht fund marrëdhënies së mëparshme energjetike ndërmjet Berlinit dhe Moskës.
Alice Weidel ka kërkuar në mënyrë të përsëritur rikthimin e importeve të naftës dhe gazit nga Rusia. Sipas saj, energjia ruse me kosto të ulët ka qenë për dekada një prej avantazheve të industrisë gjermane.
Propozimi për këtë takim shfaqet në një periudhë kur AfD-ja, ndonëse nuk është pjesë e qeverisë, ka rritur ndikimin e saj në politikën gjermane.
Partia ka korrur rezultate të rëndësishme në zgjedhjet rajonale në Saksoni-Anhalt dhe ka zgjeruar mbështetjen, sidomos në zonat lindore të Gjermanisë, ku raportet me Rusinë vazhdojnë të jenë një çështje e ndjeshme.
AfD-ja e paraqet kthimin e gazit rus si një alternativë me përfitime ekonomike, që mund të lehtësojë pasojat e kostove të larta të energjisë mbi ekonominë gjermane.
Megjithatë, ideja për një afrim të ri energjetik me Moskën ka shkaktuar kundërshtime në Berlin.
Michael Kellner, deputet i të Gjelbërve dhe ish-përgjegjës për politikën energjetike gjatë krizës, paralajmëroi se Gjermania duhet të shmangë krijimin e një varësie të re nga Rusia.
“Nuk mund t’i përsërisim gabimet e krizës energjetike”, deklaroi Kellner, duke theksuar se Moska e përdor energjinë si instrument ndikimi.
Edhe Roderich Kiesewetter, anëtar i Demokratëve të Krishterë të kancelarit Friedrich Merz, ka shprehur shqetësime të ngjashme. Ai ka paralajmëruar se rihapja e Nord Stream do të sillte pasoja për sigurinë e Evropës.
AfD-ja, megjithatë, vijon të këmbëngulë se bashkëpunimi energjetik me Rusinë do të mund të ndihmonte në forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë gjermane.
Këto bisedime po zhvillohen ndërsa Gjermania përpiqet të përshtatet me largimin nga energjia e lirë ruse dhe Moska kërkon të mbajë të hapura kanalet e ndikimit në Evropë.
