Gjatë vizitës së tij në Uashington, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se vendi ka një plan të përcaktuar për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO. Në këtë kuadër, ai përmendi rritjen graduale të buxhetit për mbrojtjen, si dhe investimet në infrastrukturën strategjike, përfshirë autostradat, hekurudhat dhe sistemet e transmetimit të energjisë.
Të lidhura
None found
Mickoski e renditi sigurinë kibernetike ndër sfidat kryesore me të cilat do të përballet vendi në të ardhmen.
Gjatë fjalës së tij në Këshillin Atlantik, kryeministri u ndal edhe te projektet infrastrukturore, duke vënë në pah rëndësinë e Korridorit 8 dhe Korridorit 10.
Për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, Mickoski tha se Maqedonia mbetet e angazhuar plotësisht për anëtarësimin, por kërkoi që rruga drejt BE-së të mbështetet te reformat dhe meritat, e jo te hapja e vazhdueshme e çështjeve të reja bilaterale. Ai theksoi se Qeveria do të vijojë komunikimin me partnerët evropianë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për sfidat e vendit, duke nënvizuar se Maqedonia nuk do të izolohet dhe as nuk do të largohet nga dialogu.
“E kuptoj parimin e Bashkimit Evropian që vendimet të merren me unanimitet dhe e di se të gjitha vendet anëtare do të përcjellin të njëjtin mesazh. Megjithatë, në të kaluarën ne ndryshuam flamurin, kushtetutën disa herë dhe emrin kushtetues. Sa herë na është thënë se duhet ta bëjmë këtë dhe se do të ishte kërkesa e fundit, ne kemi vepruar, por fatkeqësisht, pas 26 vitesh, gjendemi në të njëjtin pozicion. Propozimi ynë është që ndryshimet të përfundojnë tani në Kuvend, ndërsa ato të zbatohen pasi të mbyllen negociatat dhe pasi parlamentet e të gjitha vendeve anëtare të ratifikojnë protokollin. Kjo do të ishte garanci se nuk do të ketë kërkesa të tjera dhe se kjo do të jetë kërkesa e fundit”, u shpreh Mickoski.
