Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Zoran Dimitrovski, mori pjesë sot në edicionin e pestë të Forumit “EU Takon Balkans 5.0”, të organizuar në Sofje, bëri të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Të lidhura
None found
Gjatë fjalës së tij në Parkun Teknologjik, Dimitrovski iu drejtua audiencës në gjuhën bullgare. Ai sqaroi se qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk u ka dhënë udhëzime përfaqësuesve politikë dhe përfaqësuesve të institucioneve të tjera që në Bullgari të komunikojnë në gjuhën angleze.
“Mund të flas në gjuhën maqedone, mund të flas edhe bullgarisht, të cilën e flas, por më e rëndësishmja është të kuptohemi dhe të ketë rëndësi ajo që them”, deklaroi Dimitrovski.
Ai ritheksoi se vendi synon anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian dhe se integrimi evropian vazhdon të jetë objektivi strategjik i Maqedonisë së Veriut.
“E ardhmja e vendit tonë është në Bashkimin Evropian. Për anëtarësimin e plotë po zbatojmë reforma dhe do të vijojmë të punojmë me një ritëm që është realisht i mundshëm”, u shpreh zëvendësministri.
Sipas Dimitrovskit, integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE duhet parë jo vetëm si zgjerim, por edhe si investim në sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë e Evropës.
Dimitrovski deklaroi se Maqedonia e Veriut mbetet e angazhuar për zbatimin e reformave dhe përafrimin me standardet evropiane, ndërsa pret që arritjet e saj të vlerësohen siç duhet gjatë procesit të anëtarësimit. Ai veçoi gjithashtu rolin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal në perspektivën evropiane të rajonit, duke theksuar se vendi synon t’i forcojë ato përmes dialogut të hapur e konstruktiv dhe zbatimit të projekteve konkrete rajonale.
Duke folur për integrimin gradual, ai tha se ky proces duhet t’u sjellë qytetarëve përfitime konkrete evropiane dhe të ecë në të njëjtën kohë me integrimin e plotë, duke ruajtur një perspektivë të qartë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.
Sa i përket të drejtave të njeriut, Dimitrovski vuri në dukje se shtetet anëtare të BE-së kanë qëndrime të ndryshme për këtë çështje. Megjithatë, ai theksoi se për Maqedoninë e Veriut respektimi i të drejtave të të gjitha bashkësive është një angazhim i qartë. Në këtë kuadër, ai tha se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë nuk është problem, gjë që, sipas tij, dëshmohet edhe nga Plani i veprimit për minoritetet, i cili zbatohet për të gjitha bashkësitë etnike në vend, përfshirë edhe bashkësinë bullgare.
