Më shumë se 10 vite kanë kaluar prej debutimit zyrtar të Kosovës në kompeticionet e UEFA-s, kur “Dardanët” u përballën me Finlandën dhe morën një barazim.
Të lidhura
None found
Ndeshja e zhvilluar më 5 shtator 2016 në Finlandë përfundoi 1-1, ndërsa golin e Kosovës e shënoi Valon Berisha.
Prej atij grupi të parë të futbollistëve kosovarë, vetëm Milot Rashica dhe Vedat Muriqi vazhdojnë të jenë aktivë me përfaqësuesen. Pjesa tjetër ose e ka mbyllur karrierën, ose nuk merr më ftesa.
Formacioni historik që Kosova rreshtoi në vitin 2016 përbëhej nga Ujkani, Perdedaj, Rrahmani, Pnishi, Paqarada, Kryeziu, Rashica, V. Berisha, Alushi, B. Berisha dhe Bunjaku.
Në pankinë atë ditë qëndronin Besar Halimi, Bersant Celina, Alban Meha, Bajram Jashanica, Avni Pepa, Herolind Shala, Granit Kolshi, Flamur Neziri, Valmir Sulejmani, Eroll Zejnullahu, Sinan Bytyqi dhe Vedat Muriqi.
Dhjetë vite më vonë, nga të gjithë emrat e brezit të parë që luajtën në atë ndeshje zyrtare, vetëm Rashica dhe Muriqi janë përfshirë në listën e Franco Fodës për sfidat e Ligës së Kombeve.
Ndërkohë, gjatë këtij muaji, Rrahmani, Florent Hadërgjonaj, Fidan Aliti dhe Valon Berisha njoftuan zyrtarisht pensionimin nga “Dardanët”.
