Një seancë parlamentare e karakterizuar nga përplasje të ashpra brenda dhe protesta të gjera jashtë sallës u kthye në arenë akuzash të forta nga kreu i Grupit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi. Ai e cilësoi mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama si një grup që fshihet pas nacionalizmit për të mbuluar falimentimin moral dhe grabitjen e qytetarëve shqiptarë.
Në fjalën e tij, Blushi kundërshtoi çdo pretendim të socialistëve për patriotizëm, duke theksuar se po të kërkosh heronj në Kosovë, në Shqipëri ke emra që përfaqësojnë poshtërimin dhe shitjen e interesave kombëtare. Sipas tij, pushteti është shndërruar në një aparat për t’u pasuruar një grushti politikash dhe kriminelësh.
Të lidhura
None found
Duke marrë shkas nga vepra e Xhorxh Orëellit, “Ferma e Kafshëve”, deputeti i opozitës i përngjasi anëtarët e mazhorancës me “derra të majmur”. Ai deklaroi se këta nuk po grabisin vetëm frutat, por po u marrin shqiptarëve pensionet, po iu rëndojnë taksat mbi produktet bazë dhe po i varfërojnë më shumë se fqinjët veriorë.
Blushi denoncoi atë që e quajti një sabotim të drejtpërdrejtë të bujqësisë vendase. Ai tha se tregu është përmbytur me miell dhe qumësht pluhur nga Serbia, produkte që përdoren për të zhdukur fermerët shqiptarë dhe për të blerë vota në mënyrë klienteliste.
Fjalimi i tij mori një kah edhe më të errët kur solli në vëmendje aferat e sigurisë. Ai i lidhi akuzat me skandalin e përgjimeve të biznesmenit izraelit Ron Yeffet dhe me skemën “KAYO” në Spitalin Onkologjik, duke pretenduar se qeveria po vjedh deri edhe ilaçet, duke i shtyrë pacientët jo drejt shërimit por drejt vdekjes. Këto i quajti prova të një raporti të qeverisë me trafikun ndërkombëtar të armëve.
Lidhur me raportet me Kosovën, ai e cilësoi hipokrizi mbështetjen e dikurshme të socialistëve për projektin e “Ballkanit të Hapur” dhe tentativat për ndryshim kufijsh me Beogradin, si dhe vendosjen e traut në Rrugën e Kombit.
Në fund, Blushi iu referua atmosferës së rrethimit të Kuvendit me forca policore, duke thënë se kjo tregon frikën e pushtetit përballë qytetarëve që po protestojnë masivisht. Ai deklaroi se patriotizmi nuk matet me foto e fjalime, por me akte dhe ligje; dhe se pikërisht ky pushtet është përgjegjës për largimin e 1.5 milionë shqiptarëve nga vendi.
Ai e mbylli fjalën pa kursyer tonet, duke i quajtur tradhtarë të kombit dhe duke nënvizuar se shqiptarët do të çlirohen prej kësaj klase politike për të rimarrë dinjitetin kombëtar.
