Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, u bëri thirrje sot deputetëve gjatë seancës plenare që të ratifikojnë Konventën për Themelimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kërkesave për Ukrainën.
Miratimi i konventës e bën Shqipërinë vendin e dhjetë që ratifikon këtë mekanizëm, ndërsa për hyrjen e tij në fuqi kërkohet ratifikimi nga 25 shtete.
Të lidhura
None found
Gogu bëri të ditur se në Regjistrin e Dëmeve janë paraqitur rreth 65 000 kërkesa. Ato do të analizohen nga Komisioni, i cili do të përcaktojë edhe masën e kompensimit.
“Një dëm që vetëm regjistrohet mbetet kujtesë. Një dëm që vlerësohet dhe dëmshpërblehet bëhet drejtësi”, deklaroi ministri.
Ai sqaroi gjithashtu se Shqipëria do të japë një kontribut financiar çdo vit, shumë e cila më pas mund t’i kërkohet Federatës Ruse.
Gjatë fjalës së tij, ministri u ndal edhe te aktgjykimi i shkallës së parë, i shpallur dje në Hagë nga Dhomat e Specializuara ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së. Sipas tij, ky vendim u prit “me zhgënjim të thellë”.
Duke nënvizuar se apeli përbën rrugën e duhur për kundërshtimin e vendimit, Gogu theksoi se lufta e UÇK-së “ishte luftë çlirimtare, e drejtë, e domosdoshme”.
“Ne nuk e mbështesim drejtësinë ndërkombëtare vetëm kur vendimet na pëlqejnë. Por as nuk heshtim kur na zhgënjejnë”, u shpreh ai.
