Murat Yakin trajtoi disa tema në konferencën për media të së enjtes, duke folur për Granit Xhakën, Ardon Jasharin, Uran Bislimin, Leon Avdullahun dhe Valon Behramin.
Të lidhura
None found
Përzgjedhësi bëri publike edhe listën me 25 futbollistë për përballjet me Maqedoninë e Veriut, Skocinë dhe Slloveninë në Ligën e Kombeve. Zvicra garon në Grupin 1 të Ligës B.
Duke u ndalur te kapiteni Granit Xhaka, Yakin nënvizoi se kriteri vendimtar për përzgjedhjen e futbollistëve nuk është mosha, por gjendja e tyre fizike dhe paraqitjet në klub.
“Mosha e lojtarëve nuk është çështja kryesore, por forma e tyre fizike. Për aq kohë sa luajnë dhe paraqiten mirë me klubet përkatëse, Granit Xhaka dhe Remo Freuler mbeten të rëndësishëm për ne. Ata kuptohen shumë mirë mes vete dhe mekanizmat e krijuar po funksionojnë”, deklaroi Yakin.
Ai sinjalizoi se në të ardhmen Ardon Jashari mund të përfitojë më shumë minuta, pasi paraqitjet e tij gjatë stërvitjeve kanë lënë përshtypje pozitive.
“Për t’u përshtatur me ekipin në atë pozitë nevojitet më shumë kohë. Megjithatë, po mendoj t’u ofroj mundësi një ose dy lojtarëve. Ardoni, për shembull, paraqitet gjithmonë mirë në stërvitje dhe është krejtësisht e mundshme që në një moment të luajë nga minuta e parë”, tha trajneri i Zvicrës.
Duke folur më gjerësisht për Jasharin, i cili aktualisht luan për Milanin, Yakin vlerësoi se konkurrenca brenda një klubi të përmasave të tilla mund të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin e tij.
“Gjithçka lidhet me mënyrën se si përgjigjet vetë futbollisti. Milani është klub shumë i madh dhe konkurrenca atje është e fortë, prandaj ai nuk duhet të dorëzohet. Ne çmojmë profilin dhe angazhimin e tij. Edhe gjatë Kupës së Botës ai shkëlqente vazhdimisht në stërvitje. Jep gjithmonë maksimumin dhe punon për ekipin”, u shpreh Yakin.
“Vendimi i tij për të qëndruar te Milani ka rëndësi. Mbi të gjitha, ai është në duar të sigurta te ne dhe pa dyshim do të ketë hapësirë gjatë katër ndeshjeve”, shtoi përzgjedhësi.
Jashari numëron deri tani 11 paraqitje me përfaqësuesen e Zvicrës.
Në konferencë u diskutua gjithashtu mundësia e rikthimit të Uran Bislimit, për të cilin Yakin tha se ndodhet shumë pranë një ftese të re.
“Në këtë aspekt jemi në një pozitë shumë të mirë. Uran Bislimi është fare pranë përfshirjes në skuadër. Kisha shpresuar që ai të transferohej jashtë vendit, sepse një lëvizje e tillë zakonisht sjell shumë përfitime. Sidoqoftë, aktualisht ai po luan në nivel shumë të lartë”, deklaroi Yakin.
“Në qendër të mesfushës kemi shumë alternativa cilësore. Por, nëse ndodh diçka, ai është ndër të parët që mund të marrë ftesë”, shtoi ai.
Bislimi zhvilloi dy ndeshje për Kosovën gjatë vitit 2022, përpara se t’i bashkohej ekipit A të Zvicrës. Me “helvetikët” ai ka regjistruar dy paraqitje.
Ftesën e fundit e mori në vitin 2024, por në ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Danimarkës dhe Spanjës qëndroi në bankën rezervë.
Një tjetër temë ishte Leon Avdullahu, i cili tashmë është shndërruar në një prej pjesëve të rëndësishme të mesfushës së Kosovës.
Mesfushori i Hoffenheimit ka luajtur shtatë herë me fanellën e “Dardanëve”. Vitin e kaluar ai zgjodhi Kosovën, dhe jo Zvicrën, si përfaqësuese në arenën ndërkombëtare.
Yakin u pyet nëse Federata Zvicerane duhet të ndihet e shqetësuar nga zgjedhjet e Avdullahut dhe Alessandro Romanos lidhur me të ardhmen e tyre ndërkombëtare.
“Nuk kemi asnjë arsye për t’u shqetësuar në repartin e mesfushës qendrore. Ajo që ka rëndësi të vërtetë është që lojtarët të jenë 100 për qind të përkushtuar ndaj nesh”, ishte përgjigjja e tij.
Romano ka zgjedhur që në të ardhmen të luajë për Italinë. Mënyra se si Federata Zvicerane e Futbollit e trajtoi rastin e tij është kritikuar nga ish-mesfushori i Zvicrës, Valon Behrami.
Yakin i konsideroi të papërshtatshme qëndrimet e shprehura nga Behrami.
“Deklarata të këtij lloji nuk ndihmojnë. Megjithatë, duhet ta pranojmë vendimin dhe jam i kënaqur që punoj me futbollistë të cilët janë plotësisht, 100 për qind, të përkushtuar ndaj nesh”, përfundoi Yakin.
