Carlos Mac Allister ka përgënjeshtruar spekulimet se djali i tij, Alexis, mund të largohet nga Liverpooli, duke nënvizuar se klubi anglez ka të drejtë të mos i propozojë ende rinovimin e kontratës.
Të lidhura
None found
Marrëveshja aktuale e mesfushorit me Liverpoolin është e vlefshme deri në vitin 2028. Së fundmi, ai kishte shfaqur pakënaqësi për mungesën e një oferte të re, ndërkohë që disa futbollistë të tjerë që mbërritën në klub gjatë vitit 2023, mes tyre Dominik Szoboszlai dhe Ryan Gravenberch, kanë pasur zhvillime të tilla.
Pavarësisht kësaj, babai i lojtarit argjentinas ka sqaruar se familja nuk synon të ushtrojë trysni ndaj drejtuesve të Liverpoolit.
“Deri tani, askush nga drejtuesit e Liverpoolit nuk na ka kontaktuar për rinovimin e kontratës. Ne kemi një marrëveshje që vazhdon të jetë në fuqi dhe mbetemi të përkushtuar ndaj saj me Liverpoolin”.
“Nëse klubi vendos të mos propozojë zgjatjen e kontratës, është e drejta e tyre”, është shprehur Carlos Mac Allister për 365 Scores.
Ai ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike edhe raportimet që e lidhin të birin me një kalim të mundshëm te Real Madridi.
“Në asnjë moment gjatë gjithë karrierës së Alexis nuk jemi kontaktuar nga dikush prej Real Madridit”, ka shtuar Carlos Mac Allister.
Në paraqitjet e fundit, Mac Allister ka kaluar një periudhë të mirë, duke realizuar dy gola në dy ndeshjet e fundit ku është aktivizuar si titullar.
Mesfushori argjentinas pritet të jetë i gatshëm edhe për sfidën e ardhshme të Liverpoolit, i cili të dielën do ta presë Bournemouthin në ‘Anfield’.
Edhe pse së fundmi është përfolur si për një rinovim, ashtu edhe për një largim të mundshëm, Mac Allister vazhdon të jetë i lidhur me Liverpoolin përmes kontratës që përfundon në vitin 2028.
