Vendosja e sanksioneve të tjera ekonomike ndaj Rusisë nga Shtetet e Bashkuara do t’i bëjë dukshëm më të ndërlikuara përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje paqësore të luftës në Ukrainë, paralajmëroi Kremlini.
Të lidhura
None found
Ky reagim pasoi miratimin nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së të një pakete të gjerë sanksionesh dhe tarifash, që synon shtimin e trysnisë ekonomike mbi Moskën. Projektligji i është dërguar tashmë Presidentit Donald Trump për firmosje, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se ai pritet ta nënshkruajë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e përshkroi këtë nismë si një “veprim jo-miqësor”. Duke folur para gazetarëve, ai deklaroi se “çdo sanksion shtesë nga SHBA-ja me siguri që do t’i komplikojë përpjekjet për të gjetur një marrëveshje paqeje në Ukrainë”.
Në të njëjtën kohë, nismat e ndërmjetësuara nga Uashingtoni për përfundimin e konfliktit kanë mbetur të bllokuara prej muajsh. Kjo situatë vazhdon pavarësisht se Presidenti Trump, në fillim të këtij muaji, dërgoi dy të ngarkuar të posaçëm në Moskë dhe Kiev, me synimin për të vënë sërish në lëvizje procesin e negociatave.
