Thirrjet për protesta, paralajmërimet për përshkallëzim dhe deklaratat se Kosova mund të përballet me pasoja në rast se Gjykata Speciale në Hagë shpall fajtorë ish-drejtuesit e UÇK-së kanë rihapur diskutimin mbi mënyrën e reagimit ndaj këtij procesi gjyqësor.
Të lidhura
None found
Pak para vendimit për ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetin Rexhep Selimi, në Kosovë po paralajmërohen tubime qytetare. Në të njëjtën kohë, një pjesë e opinionit publik po kërkon që çdo reagim të jetë i matur dhe të mos shihet si përpjekje për të ndikuar te drejtësia.
Analisti politik Milazim Maraj ka kundërshtuar publikisht protestat dhe deklaratat që paraqiten si “mbrojtje” e ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Sipas tij, vendimet e gjykatës nuk mund të ndryshohen përmes presionit të ushtruar nga rruga.
Ai ka rikthyer në vëmendje trazirat e marsit të vitit 2004, duke pyetur nëse Kosova rrezikon të përjetojë sërish një situatë të tillë. Maraj ka theksuar se pasojat e dhunës së asaj kohe kanë qenë të rënda për vendin.
“Pushoni me këtë ‘mbrojtje’! A do të ndodhë përsëri viti 2004? Trazirat e pakuptimta. Trazira që fondet e dedikuara për Kosovën u shpenzuan për të ndrequr shtëpi të kriminelëve, edhe në qoftë se një thark i derrave ju digjet nga protestuesit ‘patriotë’. Çka fituam me ato protesta? Humbëm edhe tetë shqiptarë të tjerë. Humbëm reputacionin që e kishim te ndërkombëtarët. Humbëm edhe vlerësimin se ne luftuam për të mbrojtur familjet dhe tokat tona. Brenda një jave i bëtë kriminelët viktima dhe viktimat kriminelë. Kosova u kthye dhjetë vite prapa, me ‘patriotizmin’ tuaj”, ka deklaruar Maraj.
Maraj ka kritikuar veçanërisht deklaratat për armatosjen e popullsisë dhe paralajmërimet për destabilizimin e Kosovës. Ai ka kërkuar që nismëtarët e një mobilizimi të tillë të tregojnë qartë se cili do të ishte qëllimi i tij.

“Tani ju tentoni të bëni presion gjykatës në Hagë. A keni menduar çka mund të arrihet me këtë presion? Diçka tjetër është që të shfaqet pakënaqësia, por kërcënimet tuaja se do ta kallni Kosovën, se duhet të armatosni popullin, se përfundoi pavarësia e Kosovës – kujt po i shërben? Kosova ka forcat e veta të armatosura, policinë, KFOR-in, FSK-në. Çfarë armësh po kërkoni tash? Çka do të sulmoni? Çka do të mbroni? Ku është objektivi juaj?”, ka thënë ai.
Analisti ka ngritur gjithashtu pyetjen se kush do të përfitonte nga një destabilizim i mundshëm, duke përmendur Serbinë dhe Rusinë si palë që mund ta shfrytëzonin një situatë të tillë.
“Po nëse po e kallni Kosovën, a do të mërzitet shumë Serbia, apo Rusia? Ju me këto protesta botës i treguat se në Kosovë nuk ka shans minimale të dënohen krimet. Pas dëshmive të dëshmitarëve nga SHBA-ja, që po shfajësonin të akuzuarit, madje për Hashim Thaçin thanë se fare nuk ka qenë në luftë, ju në protesta dëshmoni të kundërtën: ‘Liria ka emër’, ‘Lironi Çlirimtarët’, ‘Do ta kallim Kosovën nëse dënohen’, ‘Nuk do të rishkruhet historia’.”
Sipas Marajt, gjuha e përdorur gjatë protestave mund të sjellë një rezultat të kundërt me synimin e deklaruar. Në vend që të përcillet mesazhi se Kosova mbështet drejtësinë, shtetin ligjor dhe trajtimin e drejtë të të akuzuarve, kërcënimet mund t’u japin forcë argumenteve të atyre që kanë kërkuar që këto raste të trajtohen nga mekanizma ndërkombëtarë.
Ai ka kujtuar se Kosova ka financuar mbrojtjen juridike të ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar këtë si mënyrën e duhur për t’i mbështetur ata.
“Kosova ka paguar mbrojtjen për të akuzuarit. Kjo ishte ndihma e mirëfilltë, kurse kjo që ju po e bëni është e kundërta. Nga rruga nuk ndikohet në vendimet e gjykatës. Përkundrazi, e keni keqësuar edhe më shumë. Ju arsyetuat që paska qenë e domosdoshme që kjo gjykatë të punojë në Hagë”, ka deklaruar Maraj.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhet me aftësinë për të kontrolluar turmat gjatë protestave. Maraj ka kërkuar që organizatorët të mbajnë përgjegjësi për çdo pasojë që mund të shkaktohet.
“A ka mundësi të udhëhiqen njerëzit në rrugë? A mund OVL-UÇK ta kontrollojë masën, kush mund të përzihet në këtë masë? Kush do të japë përgjigje për pasojat? Sa për efekte pozitive, as që bëhet fjalë”, ka thënë ai.
Në përfundim, analisti u ka bërë thirrje organizatorëve dhe përkrahësve të ish-krerëve të UÇK-së që të mos tentojnë t’i mbrojnë ata përmes presionit në rrugë, por të përdorin rrugët institucionale dhe juridike.
“Pushoni me këtë mbrojtje, pushoni me këtë përkrahje. Reagimet duhet të bëhen përmes institucioneve legale. Nuk ka kurrfarë efekti presioni nga rruga”, përfundon Maraj.
