Seanca fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj 53 personave të akuzuar për masakrën në Mejë dhe në fshatra të tjera të Gjakovës, ku u vranë 370 civilë, nuk arriti të mbahej për shkak të mungesës së tre avokatëve.
Të lidhura
None found
Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, bëri të ditur në seancën e sotme se, pasi rasti ishte kthyer në rivendosje, Gjykata kishte ndërmarrë hapa për t’i ftuar të akuzuarit që të paraqiteshin në gjykim. Megjithatë, deri më tani, asnjëri prej tyre nuk është paraqitur.
Rasti ishte kthyer në rivendosje nga Gjykata e Apelit me vendimin e 25 majit 2026. Me këtë vendim ishte kthyer për rivendosje vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, përmes të cilit ishte konfirmuar aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Tre avokatë të caktuar sipas detyrës zyrtare nuk ishin të pranishëm në seancë. Për këtë arsye, fillimisht u dha një pauzë, në mënyrë që Gjykata t’i kontaktonte dhe të siguronte pjesëmarrjen e tyre.
Sipas gjykatëses Namani-Hajra, avokati Valon Hasani kishte njoftuar se e kishte harruar datën e seancës së sotme dhe, rrjedhimisht, nuk mund të mbërrinte shpejt në gjykim.
Në seancë nuk u paraqit as avokatja Uresa Restelica, për të cilën u tha se e ka licencën të pezulluar.
Avokati Laur Prenaj, ndërkaq, kishte njoftuar se nuk mund të merrte pjesë për arsye shëndetësore, por se mund të mbërrinte shpejt. Gjykatësja vlerësoi se, për shkak se mungonte edhe avokatja Restelica, nuk plotësoheshin kushtet për zhvillimin e gjykimit.
Seanca e ardhshme u caktua të mbahet më 25 shtator 2026.
Në sallën e gjykimit ishin të pranishëm prokurorja Fikrije Salihu-Fejzullahu dhe mbrojtësit e 50 të akuzuarve të tjerë, të angazhuar sipas detyrës zyrtare.
Në seancën fillestare të zhvilluar më 16 qershor 2025 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurori Ilir Morina kishte lexuar aktakuzën. Gjykata kishte konstatuar se ishte bindur që ishin bërë përpjekje për sigurimin e pranisë së të akuzuarve dhe kishte vendosur që procesi gjyqësor të zhvillohej në mungesë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ngriti në dhjetor 2023 aktakuzë në mungesë kundër 53 personave për masakrën e Mejës. Kjo aktakuzë u ndryshua më 23 dhjetor 2024, ndërsa të gjithë të pandehurit vazhdojnë të jenë në arrati.
Nën akuzë në këtë çështje janë: Momir Stojanoviq, Sreten Çamoviq, Nikola Miqunoviq, Milovan Kovaçeviq, Sergej Peroviq, Verolub Zhivkoviq, Milan Kotur, Radomir Çoliq, Dragutin Josifoviq, Franko Simatoviq, Momçilo Stanojeviq, Vllatko Vukoviq, Ilija Todorov, Stevo Kaponja, Dragan Zhivanoviq, Millosh Gjoshan, Danilo Zeçeviq, Dimitrije Rashoviq, Millosh Shçepanoviq, Predrag Stojanoviq, Aleksandar Pekoviq, Zhivko Vuksanoviq, Millutin Novakoviq, Sokol Abazi, Novica Stankoviq, Misho Popoviq, Millan Noviqeviq, Nenad Rajiçeviq, Muharrem Ibraj, Millan Slavkoviq, Dragan Isailloviq, Sasha Antiq, Zllatko Odak, Savo Lekiq, Dragan Raciq, Milladin Novakoviq, Dragan Pekoviq, Njegosh Prashqeviq, Dushan Prashqeviq, Ranko Vukadinoviq, Momçilo Stijoviq, Dushan Nedoviq, Gjokica Mihajloviq, Mirash Gegoviq, Zoran Mirkoviq, Aleksandar Miqunoviq, Llazar Drashkoviq, Mihill Abazi, Momçilo Novakoviq, Marko Abramoviq, Smajl Beqiri, Momçilo Pantiq dhe Predrag Miqunoviq.
Aktakuza pretendon se gjatë luftës, në periudhën 1998-1999, të pandehurit vepruan në bashkëkryerje, si pjesë e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, dhe i kryen veprat që u vihen në barrë në fshatrat e Komunës së Gjakovës.
Sipas roleve të përshkruara në aktakuzë, Momir Stojanoviq ishte shef i Departamentit të Sigurisë së Komandës në Korpusin e Prishtinës; Sreten Çamoviq ishte shef i Departamentit të Shtetit për Siguri (UDB); Nikola Miqunoviq ishte komandant i Njësive Rezervë; Milovan Kovaçeviq ishte shef i Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Gjakovë; ndërsa Sergej Peroviq ishte shef i Sigurimit në Brigadën 52 të Artilerisë dhe Raketave të Mbrojtjes Ajrore në Garnizonin e Gjakovës, Korpusi i Prishtinës-Armata III.
Po sipas aktakuzës, Verolub Zhivkoviq mbante detyrën e komandantit të Postëkomandës Pararojë dhe shefit të Shtabit të Korpusit të Prishtinës; Milan Kotur ishte shef i Këmbësorisë në Komandën e Korpusit të Prishtinës; Radomir Çoliq ishte komandant i njësive “Posebne Jednice Policije” (PJP) të Policisë në Gjakovë; Dragutin Josifoviq komandonte Stacionin Policor në fshatin Ponoshevc të Gjakovës; Franko Simatoviq ishte komandant i Stacionit Paramilitar “Jedinica za Spedijalne Operacije” (JSO); Momçilo Stanojeviq drejtonte Mbrojtjen Territoriale; Vllatko Vukoviq ishte komandant i Batalijonit të Dytë të Brigadës së Motorizuar; kurse Ilija Todorov ishte komandant i Brigadës 63 parashutiste.
Në vazhdim, aktakuza e paraqet Stevo Kaponjën si komandant të Batalionit 52 të Policisë Ushtarake; Dragan Zhivanoviqin si komandant të Brigadës 52 të Raketave Artilerie; Millosh Gjoshanin si komandant të Brigadës 52 të Raketave Artilerike; Danilo Zeçeviqin si ndihmëskomandant të kompanisë PJP të Gjakovës gjatë luftës; Dimitrije Rashoviqin dhe Millosh Shçepanoviqin si policë në Stacionin Policor në Gjakovë; si dhe Predrag Stojanoviqin, Aleksandar Pekoviqin dhe Zhivko Vuksanoviqin si policë.
Millutin Novakoviq përshkruhet si polic në Stacionin Policor në Gjakovë; Sokol Abazi si pjesëtar i mbrojtjes territoriale; Novica Stankoviq si zëvendëskomandant i Brigadës 52 të Artilerisë; Misho Popoviq si ndihmëskomandant për punë operative në Datashmenin 113 të mbrojtjes territoriale; Millan Noviqeviq si polic rezervist; Nenad Rajiçeviq si punëtor sigurimi i Postës në Gjakovë; Muharrem Ibraj si pjesëtar i mbrojtjes territoriale; dhe Millan Slavkoviq si shef i Departamentit të kufijve të huajve dhe çështjeve administrative në MPB në Gjakovë.
Dragan Isailloviq paraqitet si punëtor i elektrodistribucionit; Sasha Antiq si komandant njësie në Batalionin 52 të Policisë Ushtarake; Zllatko Odak si pjesëtar i Brigadës 52 të Raketave Artilerike; Savo Lekiq dhe Dragan Raciq si policë; Milladin Novakoviq si komandant i Stacionit Policor në Junik; Dragan Pekoviq si pjesëtar i mbrojtjes territoriale; Njegosh Prashqeviq si polic; Dushan Prashçeviq si rezervist i UJ-së; Ranko Vukadinoviq si zjarrfikës; ndërsa Momçilo Stijoviq, Dushan Nedoviq, Gjokica Mihajlloviq, Mirash Gegoviq, Zoran Mirkoviq, Aleksandar Miqunoviq dhe Llazar Drashkoviq si policë.
Sipas të njëjtit përshkrim, Mihill Abazi ishte polic dhe pjesëtar i mbrojtjes territoriale; Momçilo Novakoviq dhe Marko Abramoviq ishin policë; ndërsa në vijim renditen Smajl Beqiri, Momçilo Pantiq si polic dhe Predrag Miqunoviq si polic.
Të gjithë këta persona akuzohen për shkelje të rënda të rregullave të së drejtës ndërkombëtare, konkretisht të nenit 3 të përbashkët të katër Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949 dhe protokolleve shtesë. Veprimet që u atribuohen përfshijnë vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.
Për pjesën që lidhet me vrasjet, aktakuza thotë se nga 27 prilli 1999 deri më 29 prill 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, nën komandën e të pandehurve të përmendur, ndërmorën një sulm të gjerë dhe sistematik kundër popullsisë civile shqiptare në Komunën e Gjakovës.
Sulmi, sipas aktakuzës, përfshiu fshatrat Mejë, Korenicë, Junik, Vogovë, Devë, Zhub, Batushë, Koshare, Molliq, Brovinë, Nivokaz, Morinë, Berjahë, Ponoshec, Pacaj, Dobrosh, Sheremet, Dallashaj, Rracaj, Stubëll, Nec, Smolicë, Popoc, Shishman, Babaj Bokës, Ramoc, Rrypaj, Madanaj, Orize, Duzhnjë, Guskë dhe Brekoc.
Në dokumentin akuzues thuhet se, pas vrasjes së policit Millutin Prashçeviq dhe katër policëve të tjerë në Mejë gjatë prillit 1999, të pandehurit zhvilluan një takim të fshehtë në një shtëpi private në Gjakovë. Në këtë takim, sipas pretendimeve, morën pjesë drejtues të formacioneve ushtarake, policore dhe të sigurimit shtetëror të ish-Jugosllavisë: Momir Stojanoviq, Nikolla Miqunoviq, Sreten Çamoviq, Millovan Kovaçeviq dhe Sergej Peroviq.
Nën pretekstin e pastrimit të terrenit nga forcat e UÇK-së, ata pretendohet se hartuan planin për spastrimin etnik të popullsisë shqiptare, të quajtur “Reka e Keqe”, në zonën e Caragojit. Plani, sipas aktakuzës, parashihte vrasjen e më shumë se 100 personave dhe djegien e të gjitha shtëpive, si hakmarrje për vrasjen e pesë policëve nga UÇK-ja.
Për zbatimin e këtij plani, forcat serbe fillimisht pretendohet se i rrethuan fshatrat e përmendura me mjete ushtarake dhe policore. Në operacion morën pjesë Brigada 63 Parashutiste, e vendosur në pjesën lindore; Batalioni 52 i Policisë Ushtarake, i pozicionuar në mes të luginës së Caragojit; Brigada 125 e Motorizuar, e vendosur në zonën e Smolicës; Brigada 52 e Raketave Artilerike, e pozicionuar në kodrën e “Qabratit” pranë “Osek Hylës”; dhe Brigada 549 e Motorizuar-Batalioni i dytë i motorizuar.
Më pas, sipas aktakuzës, nisi granatimi me artileri të rëndë në drejtim të fshatrave. Çdo fshat dhe çdo shtëpi u bombardua, ndërsa në fund forcat e këmbësorisë hynë në të gjitha vendbanimet e përmendura.
Aktakuza pretendon se forcat shkonin nga njëra shtëpi në tjetrën dhe, përmes kërcënimit me armë, forcës dhe kanosjes, i detyronin civilët të braktisnin banesat. Banorët grumbulloheshin në pika të caktuara dhe kolonat e të dëbuarve më pas niseshin drejt Shqipërisë.
Gjatë rrugës, civilët detyroheshin të kalonin nëpër tri pika kontrolli të ngritura në Mejë, Korenicë dhe Orize. Në këto kontrolle, forcat serbe i ndanin burrat nga gratë dhe fëmijët. Gratë dhe fëmijët urdhëroheshin nën kërcënim të vazhdonin drejt Shqipërisë, ndërsa burrat ekzekutoheshin në mënyrën më barbare në vende të ndryshme.
Sipas bilancit të paraqitur në aktakuzë, në Mejë u vranë 283 civilë, në Korenicë 66, në Pacaj 1, në Dobrosh tre, në Rracaj 3, në Nec 2, në Ramoc 5 dhe në Bishtazhin 7 civilë. Numri i përgjithshëm ishte 370 civilë të nacionalitetit shqiptar, trupat e të cilëve u gjetën në tetë varreza masive në Batajnicë të Serbisë.
Një pjesë tjetër e aktakuzës trajton dëbimin e popullsisë, shkatërrimin dhe plaçkitjen e pronës. Sipas saj, në kohën, vendin dhe mënyrën e përshkruar në pikën e parë, forcat policore dhe ushtarake serbe morën pjesë në largimin me forcë të civilëve nga shtëpitë gjatë zbatimit të planit “Reka e Keqe”. Mes tyre ishin edhe të pandehurit, qoftë për shkak të pozitave drejtuese, qoftë si kryerës të drejtpërdrejtë.
Aktakuza pretendon se, përmes dhunës sistematike dhe gjerësisht të përhapur, forcat fillimisht i rrethuan fshatrat dhe më pas i goditën me artileri të rëndë. Pas hyrjes së këmbësorisë, ato lëvizën shtëpi më shtëpi dhe, nën kërcënimin e armëve, i detyruan banorët të largoheshin dhe të formonin kolona drejt Shqipërisë.
Gjatë kalimit nëpër pikat e kontrollit në Mejë, Korenicë dhe Orize, civilëve iu morën dokumentet e identifikimit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë. Ata gjithashtu u fyen dhe u keqtrajtuan fizikisht.
Më tej thuhet se shumica e burrave u ndanë nga kolona. Ndërkohë, më shumë se 20 mijë banorë, kryesisht gra dhe fëmijë, u deportuan nën përcjelljen e policisë drejt Shqipërisë, përmes dy pikave kufitare në Qafë Prush dhe Morinë.
Pasuria e banorëve u plaçkit, ndërsa shtëpitë dhe objektet përcjellëse të banimit u dogjën. Si pasojë, e gjithë ekonomia familjare e këtyre fshatrave u shkatërrua tërësisht dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale.
Të 53 të akuzuarit ngarkohen se, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, të sanksionuar me nenin 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Kjo vepër aktualisht është e inkriminuar si “Krimet kundër njerëzimit”, sipas nenit 143, paragrafi 1, pikat 1.1, 1.2, 1.4, 1.6, 1.8 dhe 1.9, nënparagrafët 1.4, 1.6 dhe 1.7, lidhur me nenin 31 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi/
