Në prag të 24 orëve të fundit para marrjes së vendimit në Hagë, Çlirim Haziri, i biri i veprimtarit dhe dëshmorit të kombit Xhavit Haziri, u ka bërë thirrje qytetarëve të mblidhen sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për ta pritur së bashku mëngjesin e 16 shtatorit.
Të lidhura
None found
Ai njoftoi se do ta kalojë natën në shesh, në pritje të verdiktit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Duke iu referuar përvojës së familjes së tij, Haziri shkroi se, si djali i Xhavit Hazirit, e njeh mirë pritjen, pasi është rritur me të dhe, bashkë me familjen, vazhdon të presë edhe sot.
Sipas tij, kjo natë nuk duhet të përjetohet veçmas, por në bashkësi, si qytetarë të cilët i bashkon lufta e drejtë e UÇK-së.
Haziri bëri thirrje që qytetarët të qëndrojnë së bashku gjatë natës dhe ta presin agimin në shesh, me shpresën për lirimin e çlirimtarëve.
Ai vlerësoi se vendimi i 16 shtatorit nuk ka të bëjë vetëm me fatin e katër ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë, por edhe me historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të vetë Kosovës.
Qytetarët janë ftuar t’i bashkohen tubimit nga ora 21:00 në sheshin “Skënderbeu”. Haziri kërkoi që pritja të zhvillohet në mënyrë paqësore e qytetare dhe të karakterizohet nga shpresa.
Në mesazhin e tij, ai sugjeroi që dikush të marrë një batanije, dikush tjetër një kitarë dhe një tjetër çaj të nxehtë, ndërsa të gjithë të vijnë me zemër dhe me besim te drejtësia. Sipas tij, sonte është e mjaftueshme që qytetarët të jenë të pranishëm dhe të presin së bashku.
Në përfundim, Haziri theksoi se UÇK-ja i përkiste popullit dhe se populli i përket UÇK-së.
Takimi është caktuar më 15 shtator, në orën 21:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
