Specialisti i moviolës, i ftuar në emisionin “Super Gol” të RTSH-së, analizoi incidentin e veçantë të regjistruar në sfidën Laçi–Vllaznia, e përfunduar 2-0 në javën e 4-t të Abissnet Superiores.
Të lidhura
None found
Sipas tij, futbollisti Mehmeti u godit fillimisht nga një tifoz me shapka në pjesën e parakrahut. Pas këtij veprimi, lojtari u kthye dhe pati një reagim verbal ndaj tifozit.
Eksperti shpjegoi se arbitri iu afrua situatës me synimin për ta mbrojtur lojtarin, ndërsa Mehmeti vijoi komunikimin me tifozin. Ai shtoi se tifozi vijoi me veprimet e tij, ndërsa për pjesën që lidhej me tifozët, Cjapi mori masat përkatëse.
“Arbitri ishte shumë pranë Mehmetit dhe, sipas mendimit tim, e dëgjoi kur lojtari ofendoi tifozin. Duke qenë aq afër, nuk mendoj se arbitri do të jepte një karton të kuq pa arsye”, u shpreh ai.
Eksperti e konsideroi të drejtë ndëshkimin e futbollistit me karton të kuq për ofendimin e tifozit. Megjithatë, përballë sjelljes së tifozëve, ai tha se loja duhej të ishte ndërprerë për shkak të mungesës së sigurisë dhe se personat përgjegjës duhej të nxirrnin tifozët jashtë stadiumit.
Sipas tij, menaxhimi i situatës duhej të ishte krejtësisht ndryshe. Në rast se arbitri vlerësonte se nuk kishte garanci sigurie, duhej t’i dërgonte të dyja ekipet në dhomat e zhveshjes, të boshatisej stadiumi dhe vetëm më pas skuadrat të riktheheshin në fushë.
“Mendoj se lojtari është goditur 2-3 herë nga tifozët me shapka”, përfundoi specialisti i moviolës.
