Pak javë më parë, Bayern Munich shpalli me krenari rinovimin e kontratës së Arijon Ibrahimovic dhe e cilësoi si një pjesë kyçe të së ardhmes. Por rrugëtimi i sulmuesit 20-vjeçar mori një kthesë krejt të papritur, duke kaluar nga premtimet për minuta të rëndësishme në një huazim te Augsburgu, një vendim që ka ngjallur reagime dhe pakënaqësi.
Të lidhura
None found
“Bayern llogarit seriozisht te Arijon Ibrahimovic” – kështu titulloi klubi gjerman më 7 korrik, teksa zyrtarizonte vazhdimin e bashkëpunimit me talentin. Në fotot e publikuara, drejtori sportiv Christoph Freund shihej me buzëqeshje, duke shprehur besim të madh për hapat e ardhshëm të lojtarit.
“Tani nuk është më thjesht për të mësuar; tani ai duhet të sulmojë dhe të hedhë hapin e rradhës këtu, te FC Bayern,” kishte theksuar Freund.
Megjithatë, dy muaj më pas, tabloja ishte totalisht tjetër. Ibrahimovic numëronte vetëm një paraqitje dhe një gol në Bundesligë, dhe në vend që të ishte alternativë në skuadër, u transferua në huazim te Augsburgu. Ironia e fatit bëri që skuadra e re e tij të niste sezonin në mënyrë të përkryer, duke kryesuar renditjen pas dy fitoreve radhazi, mbi gjigantë si vetë Bayern Munich.
Për Ibrahimovicin, ky zhvillim duhet të ketë qenë i vështirë për t’u përballuar. Vetëm pak kohë më parë, ai deklaronte publikisht lumturinë që i jepej shansi për të luajtur te ajo që e quante “klubi më i madh në botë”. Pritshmëritë ishin që ai të shërbente si alternativë për Luis Diazin, i cili po ngarkonte me minuta dhe ishte kthyer në një referencë në ofensivën bavareze.
Por, në ditët e fundit të merkatos, zëri i drejtorit sportiv Max Eberl la të kuptohej një ndryshim rruge. “Nëse ka diçka të gatshme për t’u bërë publike dhe që mund t’i interesojë të dyja palëve, atëherë ne do të ishim përsëri të hapur për të,” u shpreh ai në një konferencë për shtyp. Dhe kështu ndodhi.
Sipas burimeve të “Sport1”, lojtari u ndie “jashtëzakonisht i irrituar” nga kjo kthesë, ndërsa përfaqësuesi i tij, Roman Rummenigge, mbeti “i befasuar” nga lëvizja e Eberlit. Nga perspektiva e lojtarit dhe rrethit të tij, asnjë sinjal nuk paralajmëronte një ndryshim kaq radikal; përkundrazi, mesazhet ishin se ai do të kishte mundësi reale për të luajtur dhe një rol të rëndësishëm në ekipin e parë. Vetë fakti që kontrata ishte rinovuar pak javë më parë përforconte idenë e një projekti afatgjatë.
Werder Bremeni gjithashtu kishte shfaqur interes, por në fund ishte Augsburgu ai që siguroi shërbimet e tij. Marrëveshja përfshin një huazim deri në fund të sezonit, si dhe një opsion blerjeje të vlerësuar në 8 milionë euro.
Freund, nga ana tjetër, insistoi se kjo lëvizje u bë për të mirën e rritjes së lojtarit. “Ne ramë dakord me Arijonin se është më mirë për zhvillimin e tij që të huazohet edhe për një sezon. Ai është ende i ri, ka shumë cilësi dhe tani ka nevojë për të luajtur rregullisht. Te Augsburgu do ta ketë këtë mundësi dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim nga afër në këtë rrugëtim,” deklaroi ai.
Megjithatë, pyetja që ngrihet është nëse ky arsyetim ishte i sinqertë, apo nëse Bayern Munich thjesht arriti në konkluzionin se Ibrahimovic ende nuk plotëson standardet e larta të “Allianz Arena”.
Arsyet e sakta të kësaj kthese mbeten të mjegullta. Në fazën përgatitore, talentit iu dhanë disa raste të pastra, por ai nuk arriti t’i finalizonte, çka solli kritika nga një pjesë e tifozëve. Disa prej tyre dyshonin se atij i mungonte ende klasa dhe stabiliteti për ndeshje të nivelit të lartë. Kjo mund të ketë ndikuar në rishikimin e planeve, edhe pse vetëm drejtuesit e dinë të vërtetën.
Pavarësisht zhgënjimit fillestar, aventura e re e Ibrahimovic nuk mund të kishte nisur më mirë. Trajneri Manuel Baum nuk ngurroi t’i besonte menjëherë, duke e hedhur në fushë që nga minuta e parë e ndeshjes debutuese. Dhe lojtari ia ktheu besimin me gol, në fitoren e thellë 4-1 kundër Eintracht Frankfurtit, duke dërguar një mesazh të fortë se largimi nga gjigantët bavarezë nuk është domosdoshmërisht një hap prapa.
Në këtë moment, ajo që dukej si një vendim i nxituar dhe zhgënjyes nga “SAbener Straße” mund të shndërrohet në një mundësi të artë. Ibrahimovic tashmë disponon diçka që te Bayerni do ta kishte shumë më të vështirë: minuta të qëndrueshme, më shumë përgjegjësi dhe mundësinë për të treguar se është gati për nivelet më të larta. Nëse vazhdon me gola dhe paraqitje bindëse, Bayern Munich mund të detyrohet të rimendojë edhe një herë zgjedhjen që bëri në mbyllje të merkatos.
